Analiza e fundit nga Counterpoint Research dëshmon se Samsung po paguan 469 dollarë për variantin e nivelit fillestar të telefonit Galaxy S23 Ultra. Pjesa më e madhe e kësaj shume shkon për procesorin e Qualcomm, komponentët e lidhjes celulare dhe ekranin, shkruan Katror.info.
Për të prodhuar S23 Ultra me 8 GB RAM dhe 256 GB memorie të brendshme, si dhe lidhje nën 6 GHz 5G, Samsung po paguan 469 dollarë. Të paktën kështu thotë Counterpoint Research në analizën e tij të fundit, duke vënë në dukje se 35 për qind e kostos së prodhimit shkon për Snapdragon Gen 2 të Qualcomm për Galaxy SoC, si dhe komponentët e nevojshëm për lidhjen celulare.
18 për qind e çmimit shkon për ekranin LTPO të Samsung, ndërsa 14 për qind e kostos së prodhimit kërkohet për një sistem prej gjithsej pesë kamerash. 11% shkon në memorie, 8% në kasë, ndërsa pjesët e mbetura përbëjnë 15% të çmimit.
çmimi prej $469 nuk përfshin kosto të tjera, të tilla si kërkimi i tregut, zhvillimi i produktit, marketingu, logjistika, mbështetja e klientit dhe të ngjashme. Çmimi i prodhimit rritet edhe për variantin me 12 GB RAM dhe 512 GB memorie të brendshme.
Nuk dihet se sa kushtoi prodhimi i modelit Ultra të vitit të kaluar, por nga të dhënat më të vjetra të Counterpoint Research mund të zbulohet se modeli fillestar S21 Ultra kushtoi 533 dollarë dhe Galaxy Note 20 Ultra 550 dollarë. Të dy variantet u konfiguruan me çipa Qualcomm, të shoqëruar me 8 GB RAM dhe 128 GB memorie të brendshme.
Për kujtesë, çmimi i rekomanduar me pakicë për variantin fillestar të telefonit Galaxy S23 Ultra është rreth 1,450 euro. Për versionin më të fortë me 12 GB RAM dhe 512 GB memorie, duhet të ndani rreth 1640 euro, ndërsa versioni më i fortë me 1 TB hapësirë ruajtëse kushton rreth 1880 euro. /Katror.info