Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka njoftuar përmes një postimi në rrjetin social Facebook se ka marrë pjesë në ngjarjen e njohur “Mëngjesi i Grave”, e cila u mbajt në kuadër të Konferencës së Sigurisë në Mynih, shkruan Katror.info
Ky event, i organizuar nga Kancelaria e Bavarisë dhe Fondacioni Hanns Seidel, ka për qëllim të theksojë rëndësinë e përfshirjes së grave në pozita kyçe të vendimmarrjes, veçanërisht në fushën e politikës së jashtme dhe sigurisë.
Në postimin e saj, Jahjaga ka vënë theksin te roli i grave në adresimin e sfidave të sigurisë globale dhe domosdoshmëria e një përfaqësimi më të madh të tyre në këtë sektor.
Ajo gjithashtu ka nënvizuar përkushtimin e Kosovës për të promovuar pjesëmarrjen e grave në sektorin e sigurisë dhe në proceset e ndërtimit të paqes dhe stabilitetit, si në rajon ashtu edhe më gjerë.
Konferenca e Sigurisë në Mynih mbetet një platformë e rëndësishme për diskutimin e çështjeve globale të sigurisë dhe për theksimin e rolit të lidershipit femëror në këtë fushë./Katror.info