Sipas legjendës, rreth vitit 1943, një djalë dhjetëvjeçar në qytetin Augusta të shtetit Georgia, çdo mbrëmje këndonte dhe vallëzonte para shtëpisë publike të tezës së tij, për të tërhequr klientë – kryesisht ushtarë amerikanë nga baza e afërt, të cilët po përgatiteshin të niseshin drejt Evropës për të luftuar kundër Gjermanisë Naziste.
Thuhet se djali ishte kaq i talentuar në këndim dhe vallëzim, saqë burrat që ndaleshin, nuk hynin më brenda, por vazhdonin të përcillnin performancën e tij. Si pasojë, tezja e përjashtoi nga “puna”.
Ky ishte angazhimi i parë në show-biznes, i njërit prej interpretuesve më të mëdhenj dhe më interesantë të muzikës soul dhe funky,i cili më vonë do të bëhej i famshëm si “Mr. Dynamite”, “Njeriu më i vyeshëm në show-biznes”, “Ministri i Funk-ut të Ri dhe Super të Rëndë”, “Kumbari i Soul-it”, “Mbreti i Soul-it” dhe “Soul Brother No. 1” – pra, James Brown.
Kjo fabulë tingëllon si mit, por fakt është se Familja Brown jetonte në varfëri në Elko, Karolina e Jugut, një qytet i varfër në vitin 1933, kur lindi James Joseph Brown. Kur ai ishte katër ose pesë vjeç, familja u transferua në Augusta, Xhorxhia, ku fillimisht u vendosën në një nga shtëpitë publike të tezëve të tij. Nëna e Brownit u largua përfundimisht nga familja pas një martese të vështirë dhe abuzive, duke u shpërngulur në Nju Jork.
Si fëmijë, ai nisi të këndonte në shfaqjet e talenteve, duke performuar për herë të parë në Teatrin Lenox të Augustës në vitin 1944. Ai fitoi konkursin pasi interpretoi baladën “So Long”, (Kaq gjatë).
Gjatë qëndrimit në Augusta, Brown performonte kërcime për bakshish për të argëtuar trupat ushtarake nga Kampi Gordon, teksa kolonat e tyre kalonin mbi një urë pranë shtëpisë së tezes së tij. Pikërisht në këtë kohë ai dëgjoi për herë të parë muzikantin legjendar të blues-it, Howlin’ Wolf, duke luajtur në kitarë. Gjatë kësaj periudhe, ai mësoi të luante piano, kitarë dhe harmonikë.
Një nga momentet kyçe që e frymëzoi për t’u bërë artist ishte kur dëgjoi këngën “Caldonia” nga Louis Jordan and his Tympany Five. Në adoleshencë, Brown provoi për një periudhë të shkurtër edhe boksin, përpara se të përqendrohej plotësisht në muzikë.
Në moshën 16-vjeçare, ai u dënua për grabitje dhe u dërgua në një qendër paraburgimi për të mitur në Toccoa. Atje formoi një kuartet gospel me tre shokë qelie, duke përfshirë Johnny Terry-n.
Gjatë kësaj periudhe, Brown u takua me këngëtarin e famshëm Bobby Byrd gjatë një loje bejsbolli jashtë qendrës së paraburgimit. Byrd e zbuloi talentin e tij muzikor pasi dëgjoi për “një djalë të quajtur Music Box”, që ishte pseudonimi i Brown-it në burg.
Më vonë, Byrd ka pohuar se ai dhe familja e tij ndihmuan për lirimin e parakohshëm të Brown-it, i cili i premtoi gjykatës se do të “këndonte për Zotin”. Pas lirimit, Brown u punësua nga pronari i biznesit në Toccoa, S. C. Lawson, i cili u impresionua nga etika e tij e punës dhe garantoi lirimin me kusht, duke premtuar ta mbante të punësuar për dy vjet. Ai u lirua me kusht më 14 qershor 1952.
Gjatë kësaj periudhe, Brown punoi me djemtë e Lawson-it dhe herë pas here kthehej për të vizituar familjen e tij. Menjëherë pas lirimit, ai iu bashkua grupit gospel Ever-Ready Gospel Singers, ku këndonte edhe motra e Byrd-it, Sarah.
Që nga ai moment, jeta e James Brown-it do të bëhej burim frymëzimi për muzikë, romane, filma dhe tregime nga më të veçantat. Më e rëndësishmja, ai do të krijonte zhanre dhe këndonte një katalog këngësh ndër më të bukurat dhe të papërsëritshmet në historinë e muzikës amerikane.

Të gjithë titujt që e ndjekin me meritë ilustrojnë rëndësinë e James Brown-it si një nga muzikantët më të ndikueshëm të shekullit të 20-të. Ai shpiku funk-un, i cili jo vetëm që u bë një zhanër i veçantë, por pati gjithashtu një ndikim të jashtëzakonshëm në muzikën rock, soul, pop, hip-hop, si dhe në muzikën afro-amerikane dhe latino-amerikane.
Brown ishte një nga artistët kryesorë të kohës së tij, me 17 hite numër 1 në listat e Billboard R&B jan nën emrin e tij. Si këngëtar, ai e çoi përpara zhanrin soul, me një stil të fuqishëm vokal që përfshinte ndikime nga blues, gospel, jazz, country dhe rock, si dhe një aftësi të jashtëzakonshme për të kënduar me pasion dhe forcë.
Ai ishte gjithashtu një kompozitor, drejtues grupi, aranzhues dhe producent, si dhe një showman i shkëlqyer, i cili krijoi rutina spektakolare dhe akrobatike kërcimi që patën një ndikim të madh te muzikantë të tillë si Mick Jagger, Michael Jackson, Prince dhe shumë të tjerë. Pa dyshim, kultura e vallëzimit dhe këndimit do të ishte shumë më e varfër pa ndikimin e tij.
Brown, poshtu theu kufijtë e ndarjes racore dhe mbrojti fuqizimin e zezakëve. Përfshirja e James Brown në lëvizjen për të drejtat civile filloi në mesin e viteve ’60. Ai e përqafoi atë me të njëjtën energji dhe dinamizëm që i kushtonte performancave të tij.
Në vitin 1966, kënga “Don’t Be a Drop-Out” (Mos qëndro si i braktisur) u bëri thirrje të rinjve me ngjyrë të mos e neglizhonin arsimimin e tyre. Po atë vit, ai udhëtoi drejt Misisipit për të vizituar aktivistin e plagosur për të drejtat civile, James Meredith, i cili ishte qëlluar gjatë “Marshimit kundër Frikës.” Nga viti 1965 e në vijim, Brown shpesh anulonte shfaqjet e tij për të mbajtur koncerte bamirësie në mbështetje të organizatave politike me ngjyrë.
Më 5 prill 1968, një ditë pas vrasjes së Martin Luther King Jr., shpërthyen protesta dhe trazira në 110 qytete të SHBA-së. James Brown kishte planifikuar të performonte atë natë në Boston, Massachusetts.
Në bashkëpunim me kryebashkiakun Kevin White, ata vendosën që shfaqja të vazhdonte dhe të transmetohej drejtpërdrejt në televizion. Ata e kuptuan se njerëzit do të qëndronin në shtëpi për të parë koncertin, duke shmangur kështu dhunën që pllakosi shumë qytete të tjera.
Në maj 1968, Presidenti Lyndon Johnson e ftoi James Brown në Shtëpinë e Bardhë. Një muaj më vonë, qeveria sponsorizoi një turne të tij për të performuar për trupat amerikane në Vietnam.
Në gusht të atij viti, ai regjistroi këngën ikonike “Say It Loud – I’m Black and I’m Proud.”( Thuaj me zë të lartë – Unë jam i zi dhe jam krenar) e cila u bë një thirrje e fuqishme për të gjithë komunitetin me ngjyrë. Kjo frazë vazhdon të fuqizojë njerëzit me ngjyrë edhe sot.
Brown më vonë pranoi se kjo këngë “më kushtoi shumë nga audienca ime e zakonshme,” por pa dyshim që kapi frymën e nacionalizmit në rritje të afro-amerikanëve dhe u bë një himn unifikues i epokës.
Ai madje u shfaq në kopertinën e revistës LOOK, e cila ngriti pyetjen: “A është ky njeriu me ngjyrë më i rëndësishëm në Amerikë?” e cila u bë një thirrje e fuqishme për të gjithë komunitetin me ngjyrë. Kjo frazë vazhdon të fuqizojë njerëzit me ngjyrë edhe sot.
Jeta e James Brown-it ishte një histori arketipale e një njeriu të rrethuar nga sfida dhe kontradikta, por ajo kishte gjithashtu një anë të errët, përfshirë arrestime për dhunë në familje, vjedhje, sulme dhe akuza për drogë dhe armë.
Pavarësisht kësaj, Brown mbeti dhe mbetet një ikonë globale, një nga të paktët artistë që ka ndryshuar muzikën në një mënyrë aq të thellë, saqë mund të flasim për një periudhë para dhe pas tij.
Më 1954 ai iu bashkua një grupi vokal të quajtur The Avons, i themeluar nga Bobby Bird. Në vitin 1955 grupi mori emrin The Famous Flames.”
Më 1955 Flames filluan të performojnë këngë të shkruara nga Brown, mes të cilave ishte edhe “Please, Please, Please”,(Të lutem, të lutem, të lutem) të cilën ai e kishte bashkë-kompozuar me John Terry-n mikun nga burgu.
“Please, Please, Please” u bë gradualisht një hit i madh, duke shitur mbi një milion kopje. Që atëherë, kënga është konsideruar një klasik i muzikës dhe, në vitin 2011, revista Rolling Stone e përfshiu atë në listën e 500 këngëve më të mëdha të të gjitha kohërave.
Suksesi i “Please, Please, Please” e vendosi Brown si udhëheqësin e padiskutueshëm të grupit, dhe në vitin 1957, emri i tij u përfshi zyrtarisht në grup, duke u quajtur James Brown and The Famous Flames.
Në vitin 1958, balada “Try Me”, (Më provo) u bë kënga e parë e Brown që arriti vendin e parë në listat R&B të Billboard.
Në prill të vitit 1959, me një formacion të ndryshuar, James Brown dhe grupi i tij debutuan në Apollo Theater në Harlem, Nju Jork.
Gjatë viteve në vijim, Brown pati disa hite, duke përfshirë “I Want You So Bad”,(Të dua aq shumë) “Think”,(Mendo) “Bewildered”,(I hutuar) “I Old Heart” (Unë zemra e vjetër).
Në tetor të vitit 1962, James Brown dhe The Famous Flames performuan prapë në Apollo Theater. Në maj të vitit 1963, një fragment 31-minutësh i koncertit u publikua si albumi Live at the Apollo.
Ky album kaloi 66 javë në tabelën e albumeve Billboard, duke arritur deri në vendin e dytë. Me ndikim të madh dhe të qëndrueshëm, albumi u fut në Grammy Hall of Fame në vitin 1998 dhe u shtua në Regjistrin Kombëtar të Regjistrimeve nga Biblioteka e Kongresit në vitin 2004.
Live at the Apollo shpesh cilësohet si një nga albumet më të mëdha live të të gjitha kohërave. Në këtë fazë të karrierës, Brown kishte zhvilluar një rutinë skenike energjike, me lëvizje të avancuara të këmbëve në vallëzim.
Një nga momentet ikonike të performancës ishte kur ai rrëzohej në skenë, ndërsa anëtarët e grupit e ndihmonin të ngrihej. Një pelerinë ishte gjithashtu pjesë e aktit të tij, një detaj i frymëzuar nga mundësi i famshëm Gorgeous George.
Në këtë periudhë, Brown adoptoi pseudonimin “Mr. Dynamite”. Në vitin 1964, ai publikoi këngën “Out of Sight”(Jasht shikimt) nën shtëpinë diskografike Smash Records, duke e konsideruar atë si hapin e tij të parë drejt muzikës funk.
Në fillim të vitit 1965, ai regjistroi “Papa’s Got A Brand New Bag”, (Papa ka një çantë krejt të re) një këngë që shënoi një moment historik në zhvillimin e funk-ut. Rrahja kryesore e muzikës u zhvendos nga ritmi i zakonshëm në një theks të fuqishëm mbi notën e parë të masës, një teknikë që Brown e quante “the one”(një). Seksioni i brirëve kontribuoi në groove me thekse stakato dhe ritme të fuqishme.
Kjo këngë i solli Brown çmimin e tij të parë Grammy, për regjistrimin më të mirë Rhythm & Blues. Më vonë po atë vit, ai publikoi këngën “I Got You (I Feel Good)”,(Të kam, ndihem mirë)) e cila u rendit e para në listat R&B dhe e treta në listat e përgjithshme të këngëve më të mira në SHBA.
“I Got You (I Feel Good)” ishte një tjetër moment kyç në evoluimin e muzikës funk, falë ritmit të fuqishëm dhe groove-it të veçantë që tingëllon modern edhe sot.
Në shkurt të vitit 1966, Brown regjistroi baladën “It’s A Man’s Man’s Man’s World”, (Është bota e burrave) e cila u bë një nga këngët më të famshme të karrierës së tij. Kjo këngë përputhej në mënyrë ideale me stilin emocional të Brown dhe mbeti pjesë e pandashme e performancave të tij deri në fund të jetës. Kjo periudhë konsiderohet si fillimi i zhanrit Funk.
Në maj të vitit 1967, James Brown regjistroi një këngë të titulluar “Cold Sweat” (“Djersë e ftohtë”), e cila është vlerësuar si “kënga e parë e vërtetë funk”. Kjo këngë ishte një zhvillim i një kompozimi të mëparshëm që Brown kishte regjistruar në vitin 1962, të titulluar “I Don’t Care” (Nuk brengosem).
“Cold Sweat” u bazua në një ide melodike që Brown ia këndoi aranzhuesit, bashkautorit dhe saksofonistit Pee Wee Ellis, i cili shtoi pjesët e brirëve të frymëzuara nga ato në “So What”(Pra çfarë) të Miles Davis-it.
Kënga mbështetet kryesisht në një akord gjatë gjithë interpretimit, me një kalim në tonalitet më të lartë në urë, duke krijuar një ndjenjë modale. Aranzhimi është minimal, ndërsa stili i të kënduarit deklamator i Brown u bë më vonë një ndikim i rëndësishëm për hip-hop-in.
Kur u publikua në korrik të vitit 1967, “Cold Sweat” u konsiderua revolucionare. Ajo u bë modeli bazë për muzikën funk dhe është një nga këngët më të përdorura për “sampling”(mostra) nga muzikantët hip-hop.
Pas kësaj kënge, pasuan disa nga publikimet më të rëndësishme për zhvillimin e muzikës funk, si “Give It Up or Turnit a Loose”, (Hiq dorë ose lëre të lirë) “Licking Stick – Licking Stick”,(Shkopi lëpirës) “Funky Drummer”,(Funky Baterisri) “Ain’t It Funky”, (Nuk është funky) “I Got the Feeling” (E kam ndjenjën) dhe “Mother Popcorn”, (Nëna popcorn).
Ky evolucion kulmoi me, ndoshta, këngën më të famshme të funk-ut të të gjitha kohërave, “Get Up (I Feel Like Being a) Sex Machine”, (Ngrihu (Më duket sikur jam një) makinë seksi) e publikuar në fillim të vitit 1970.
Ashtu si në “Cold Sweat”, këngët e James Brown në fund të viteve ’60 dhe fillim të viteve ’70 ishin të ndërtuara mbi muzikë të zhveshur deri në thelb të saj, me fokus të plotë tek ritmi dhe te modelet e ndërlidhura e të përsëritura të instrumenteve. Ndikimet ritmike të tij përfshijnë funk-un e New Orleans, si dhe elemente afro-kubane dhe afrikane.
Shumë nga regjistrimet e Brown-it në fund të viteve gjashtëdhjetë dhe fillim të viteve shtatëdhjetë do të bëheshin jashtëzakonisht me ndikim në dekadat e mëvonshme dhe vazhdojnë të jenë edhe sot.
Veçanërisht, “Funky Drummer” është bërë një nga pjesët më të përdorura në monstrën muzikore të të gjitha kohërave. Thyerja e ritmit të daulleve, e luajtur nga Clyde Stubblefield, shpesh konsiderohet si themelore për zhanrin hip-hop dhe është përdorur nga një numër i madh artistësh hip-hop, duke përfshirë Public Enemy, Run-DMC, Kanye West, si dhe artistë të muzikës pop si George Michael, Britney Spears, Ed Sheeran dhe mijëra të tjerë.
Ndërsa është e lehtë të thuhet se ndikimi i Brown-it u shtri larg në të ardhmen, realizimet e tij patën gjithashtu një ndikim të menjëhershëm te bashkëkohësit e tij. Funk-u u bë një zhanër i veçantë në SHBA brenda pak muajsh nga publikimi i këngëve inovative të Brown-it në fund të viteve gjashtëdhjetë. Shumë grupe funk dolën në skenë.
Brown realizoi “Get Up (I Feel Like Being a) Sex Machine” më 25 prill 1970. Atë kohë airealizoi gjithashtu disa nga klasiket e zhanrit funk, si “Super Bad,”(Super i keq) “Soul Power,” (Fuqia e shpirztit) dhe “Talkin’ Loud and Sayin’ Nothing,” (Duke folur me zë të lartë dhe duke mos thënë asgjë) të cilat janë sampluar (mostruar) shpesh që atëherë.
Albumi i dyfishtë i vitit 1970, “Sex Machine”, (Sex Makina) konsiderohet gjerësisht si një nga albumet më të rëndësishme të karrierës së tij.
Ai e zhvilloi më tej stilin e tij funk në albumin e vitit 1971, “Hot Pants”, (Pantallona të nxehta) dhe ky proces vazhdoi deri në vitin 1972 me “There It Is dhe Get On The Good Foot” (Ja ku është dhe qëndro në këmbë të shëndoshë).
Albumi “The Payback” (Shlyerja e bortxhit) , i publikuar në dhjetor 1973, konsiderohet si një nga projektet e tij më koherente në studio dhe u rendit në vendin e parë në tabelën e albumeve R&B në SHBA. Kënga kryesore e albumit është sampluar gjerësisht.
Më pas erdhi albumi i dyfishtë Hell në qershor 1974 i cili prodhoi dy hite që arritën vendin e parë në klasifikime: “My Thang” (Gjëja ime) dhe “Papa Don’t Take No Mess.” (Papa mos bë rrëmunjë) .
Po në vitin 1974, Brown publikoi albumin “Reality”, (Realiteti) por kritikët filluan të vërenin një mungesë progresi muzikor në krijimtarinë e tij gjatë viteve të fundit. Gjithashtu, pozicionet e këngëve dhe albumeve të tij në klasifikime nisën të bien.
Megjithatë, Reality përmbante këngën e njohur “Funky President (People It’s Bad),” (President Funky (Njerëzit jan të këqijë) e cila u përdor si monstër gjerësisht. Në mesin e viteve ’70, Brown u përball me disa sfida. Mbështetja e tij për Richard Nixon gjatë fushatës presidenciale të vitit 1972 i kushtoi një pjesë të madhe të audiencës së tij afro-amerikane.
Të ardhurat e tij filluan të bien si rezultat, dhe për ta përkeqësuar situatën, IRS filloi ta ndjekë për pagesa taksash në vitin 1973. Të gjitha këto faktorë çuan në kolapsin e bizneseve të tij disa vite më vonë.
Po në vitin 1973, ai përjetoi një tragjedi të rëndë kur djali i tij i parë, Teddy, humbi jetën në një aksident automobilistik. Po atë vit, u ndoq për miliona dollarë taksa të papaguara, por, pavarësisht sfidave, koncertet dhe hitet e tij vazhduan.
Ai performoi në ndeshjen historike të boksit mes Muhammad Ali dhe George Foreman, ngjarje e njohur si “The Rumble in the Jungle”,(Gjëmimi në xhungël) në Zaire (Kongo) dhe u pagua 160,000 dollarë për të kënduar në ceremoninë e inaugurimit të Presidentit të Gabonit në vitin 1975.
Nga ana artistike, Brown dukej i pasigurt për drejtimin që duhej të merrte. “Sex Machine Today,” (Sex makina sot) publikuar në vitin 1975, ishte një përpjekje e qartë për të rikthyer ditët e arta dhe për të përshtatur me trendin e muzikës disko të asaj kohe, por nuk pati sukses.
Albumi i tij pasues, “Get Up Offa That Thing”, (Bgrihu nga ajo gjë) publikuar në vitin 1976, pati më shumë sukses, dhe kënga kryesore e tij ishte ndoshta hiti i fundit i Brown në stilin e tij autentik funk.
Brown pati disa hite të tjera në fund të viteve ’70, duke përshirë baladën “Kiss in ’77”, (Puthja më 77) dhe këngën me ndikim disko “It’s Too Funky In Here,” ( Është tepër funky këtu). Kjo e fundit ishte pjesë e albumit “The Original Disco Man”, (Disko njeri origjinal) publikuar në vitin 1979. Albumi karakterizohej nga tingulli bashkëkohor, duke përfshirë sintetizatorë dhe një miksim modern.
Në vitin 1980, paraqitja e James Brown në filmin “The Blues Brothers” shënoi fillimin e rikthimit të tij. Brown pati një hit të madh në vitin 1985 me këngën “Living In America,” (Të jetosh në Amerikë) nga albumi “Gravity”, i publikuar në vitin 1986. Kjo këngë i solli atij një nominim për Çmimin Grammy për Këngën më të mirë R&B, si dhe një Çmim Grammy për Performancën më të Mirë R&B Mashkull.
Kënga u bë e famshme dhe ishte në kontekst të këngëve për luftën e ftohët pasi që u përdor edhe në filmin “Rocky IV”. Në vitin 1986, ai u bë një nga artistët e parë të pranuar në Rock and Roll Hall of Fame. Hip-hoperët në zhvillim, si Afrika Bambaataa dhe Chuck D i Public Enemy, ose bashkëpunuan me të ose e vlerësuan si një ndikim të rëndësishëm.
Nga fundi i viteve tetëdhjetë, ana më e errët e James Brown e kaploi atë, kur u arrestua për sulm, si dhe për akuza për drogë dhe armë. Ai kaloi gati tre vjet në burg dhe u lirua në shkurt të vitit 1991. Gjithashtu, pati disa padi civile për ngacmim seksual, si dhe arrestime për dhunë në familje.
Megjithatë, Brown vazhdoi të përballej publikisht me sfida të mëdha, përfshirë probleme personale, arrestime dhe varësi, që zgjatën deri në vitet 1990.
Pavarësisht këtyre vështirësive, ai vijoi të ecte përpara. Në vitin 2001, u martua me këngëtaren Tomi Rae, me të cilën pati një djalë, James Brown II dhe vazhdoi të performonte rregullisht, duke shitur shpejt bileta në ambiente prestigjioze si Albert Hall në Londër. Madje, shteti i Karolinës së Jugut e fali zyrtarisht për shkeljet e tij të viteve ’80.
Pas lirimit nga burgu, Brown u shndërrua gjithnjë e më shumë në një legjendë të gjallë. Paraqitja e tij e fundit në televizion ndodhi në nëntor 2006, me përfshirjen e tij në UK Music Hall of Fame. Ai vdiq më 25 dhjetor 2006.
Kontributet që James Brown i dha botës së muzikës janë kaq të mëdha sa është e vështirë t’i ekzagjerojmë. Funku është bërë një zhanër dominues i muzikës, dhe ai luajti një rol të rëndësishëm në thyerjen e ndarjeve racore, si dhe në nxitjen e krenarisë në komunitetin afro-amerikan.
Brown mori gjithashtu shumë çmime, mirënjohje dhe nderime, përfshirë përfshirjen në Rock and Roll Hall of Fame në vitin 1986, një Çmim Grammy për arritje jetësore në vitin 1992 dhe një Kennedy Center Honor.
Sot, ndikimi i funk-ut mund të dëgjohet në të gjithë muzikën popullore, dhe në hip-hop, Brown mbetet artisti më i sample-uar (mostruar) i të gjitha kohërave.
Ai e shprehu shumë mirë në autobiografinë e tij: “Të tjerët mund të kenë ndjekur gjurmët e mia, por unë isha ai që e ktheva minstrelsinë (imitimi i muzikës së zezë) raciste në shpirt të zi dhe, duke bërë këtë, u shndërrova në një forcë kulturore.”
Brown mori çmime dhe nderime gjatë gjithë jetës së tij dhe pas vdekjes. Në vitin 1993, Këshilli i Qytetit të Steamboat Springs, Kolorado, realizoi një sondazh me banorët për të zgjedhur një emër të ri për urën që kalonte lumin Yampa në Shild Drive.
Emri fitues, me 7,717 vota, ishte “James Brown Soul Center of the Universe Bridge”. Ura u dedikua zyrtarisht në shtator të vitit 1993, dhe Brown ishte i pranishëm në ceremoninë e prerjes së shiriti për ngjarjen.
Ai mori shumë edhe shumë çmime dhe nderime prestigjioze nga industria e muzikës. Në vitin 1983, ai u pranua në Hall of Fame të Muzikës së Georgias. Brown ishte një nga të parët që u pranua në Rock and Roll Hall of Fame në darkën e parë të pranimit në New York më 23 janar 1986.
Më 25 shkurt 1992, Brown iu dha një çmim për arritje jetësore në çmimet e 34-të vjetore Grammy. Pikërisht një vit më vonë, ai mori një çmim për arritje jetësore në çmimet e 4-të vjetore të Fondacionit Pioneer Rhythm & Blues. Një ceremoni u mbajt për Brown më 10 janar 1997, për ta nderuar atë me një yll në Hollywood Walk of Fame.
Më 15 qershor 2000, Brown u nderua si një pranim në Hall of Fame të Shkrimtarëve të Këngëve të New York-ut. Më 6 gusht 2002, ai u nderua si ikona e parë urbane e BMI në Çmimet BMI Urban.
Brown mori Çmimet e Kennedy Center më 7 dhjetor 2003. Në vitin 2004, revista Rolling Stone renditi James Brown si numrin 7 në listën e saj të 100 Artistëve më të Mëdhenj të të Gjithë Kohërave.
Brown u nderua në qytetin e tij të lindjes, Augusta, Georgia, për filantropinë dhe aktivitetet qytetare. Në nëntor të vitit 1993, Kryetari i Bashkisë Charles DeVaney i Augusës mbajti një ceremoni për të dedikuar një seksion të Rrugës 9 mes Broad dhe Twiggs Street, të cilës i ishte dhënë emri “James Brown Boulevard”, për nder të argëtuesit.
Në maj të vitit 2005, si një dhuratë për ditëlindjen e 72-të të Brown, qyteti i Augusës zbuloi një statujë të bronztë në madhësi natyrale të James Brown në Broad Street.
Në vitin 2005, Charles “Champ” Walker dhe Komiteti “We Feel Good” u paraqitën para komisionit të Qarkut dhe morën miratimin për të ndryshuar sloganin e Augutës në “We Feel Good”. Më pas, zyrtarët e ribënë emrin e qendrës qytetare në James Brown Arena. James Brown mori pjesë në ceremoninë për zbulimin e kësaj qendre me emrin e tij më 15 tetor 2006.
Më 30 dhjetor 2006, gjatë shërbimit publik të kujtimit në James Brown Arena, Shirley A. R. Lewis, presidente e Paine College, një kolegj historikisht i zi në Augusta, Georgia, ia dhuroi posthumisht një doktoratë nderi Brown-it, në njohje dhe nderim të shumë kontributit të tij në këtë shkollë në periudha të vështira. Brown kishte qenë i ftuar për të marrë doktoratën e nderit nga Paine College gjatë diplomimit të vitit 2007.
“Kam shumë heronj muzikorë, por mendoj se James Brown është në krye të listës”, tha Chuck D i Public Enemy. “Absolutisht burri më funky në Tokë… Në një shtëpi të zezë, James Brown është pjesë e pëlhurës – Motown, Stax, Atlantic dhe James Brown.”
Tom Waits kujton: “Herën e parë që pashë James Brown ishte në vitin 1962 në një teatër në natyrë në San Diego dhe ishte e pa përshkrueshme… ishte sikur të vendosje gishta në një socket drite… Ishte vërtet sikur të shihje meshën në Katedralen e Shën Patrick në Krishtlindje.“
Më 24 prill 2023, James Brown u pranua në Atlantic City Walk Of Fame të sapo krijuar, të paraqitur nga The National R&B Music Society Inc. Vajza e Brown, Deanna Brown Thomas, pranoi nderin në emër të tij.
Gjatë karrierës së tij, e cila zgjati gati pesë dekada, James Brown njihej si njeriu më punëtor në industrinë e muzikës. Ai bëri turne vazhdimisht, shkroi 832 këngë, shiti mbi dyqind milionë albume në mbarë botën dhe realizoi dyzet e pesë albume të arta James Brown mbetet një shpirt i mbijetuar, një ikonë e pavdekshme e muzikës dhe kulturës popullore./Katror.info
Përgatiti:
