Sulmuesi kosovar Edon Zhegrova ka bërë një debutim për t’u mbajtur mend me fanellën e Juventusit, në përballjen dramatike kundër Borussia Dortmundit në Ligën e Kampionëve.
Ndeshja e zhvilluar të martën mbrëma përfundoi me barazim spektakolar 4-4, me tetë gola vetëm në pjesën e dytë. Deri në minutën e 87-të, Juventusi ishte në disavantazh 2-4, kur trajneri vendosi të aktivizojë Zhegrovën në vend të Kenan Yildiz.
Prania e “Diamantit të Kosovës” në fushë i dha tjetër frymë ekipit italian, i cili arriti të shënojë dy herë në minutat shtesë dhe të marrë një pikë të çmuar.
Klubi bardhezi dhe tifozët kanë shpërthyer me reagime pozitive për Zhegrovën, duke e cilësuar debutimin e tij si të paharrueshëm. Në rrjetet sociale, Juventusi publikoi: “Debutim për t’u mbajtur mend”.
Ky ishte vetëm fillimi për yllin e Kombëtares së Kosovës, i cili u transferua në ditën e fundit të afatit kalimtar të kësaj verë dhe tashmë ka fituar zemrat e tifozëve italianë./RTK/Katror.info