Komuna e Prishtinës ka filluar me procesin për përpilimin e Strategjisë për Artin dhe Kulturën 2025-2030. Përmes këtij procesi, synohet të formulohet vizioni i qartë, objektiva konkrete dhe plan të veprimit që do të krijojnë një ambient më të përshtatshëm për zhvillimin e artit dhe të kulturës.
Kryetari i kryeqytetit, Përparim Rama, ka theksuar se kjo strategji përfshin vitet 2025-2030, teksa tha se synohet që kryeqyteti të shndërrohet në qendër të artit e të kulturës, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Komuna e Prishtinës.
“Strategjia jonë për Kulturën do të jetë një plan ambicioz, që synon jo vetëm të ruajë dhe të promovojë trashëgiminë tonë, por edhe të inkurajojë inovacionin dhe kreativitetin në kulturë. ”, ka thënë Rama.
Drejtoresha e Kulturës, Arta Balaj, ka thënë se është shumë e rëndësishme përfshirja e komunitetit të ekspertëve dhe artistëve që i përkasin fushave të ndryshme të kulturës e artit, thuhet tutje në këtë komunikatë.
“Për ne është me rëndësi që vendimet e marra të rezonojnë me zërat e ndryshëm, këndvështrime të ndryshme, që e përbëjnë komunitetin tonë”, ka deklaruar Balaj.
Philip Kern, është ftuar si njohës dhe kontribues i politikave kulturore për shumë vende botërore, i cili gjithashtu ka eksperiencë në përpilimin e strategjive për kulturë dhe art./Katror.info