Universiteti i Prishtinës ka lajmëruar të hënën se ky institucion akademik ka krijuar platformën digjitale për aplikim në mobilitete për shkëmbimin e stafit akademik apo studentët në programe si Erasmus +.
Sipas UP, kjo platformë është e bazuar në databazën e Sistemit të Menaxhimit të Studentëve (SMSS) dhe kjo përmirëson qasjen dhe shpejtësinë e procesit të aplikimit për programe të shkëmbimit të stafit akademik dhe studentëve, raporton Katror.info.
“Ky sistem kontribuon në transparencë dhe lehtëson koordinimin midis institucioneve të ndryshme arsimore”, është thënë në njoftimin e bërë të hënën nga ky institucion në rrjetin social Facebook.
E më tutje është bërë thirrje që për informacione shtesë të vizitohet Zyra për Marrëdhënie me Jashtë në kuadër të UP-së që gjendet në Administratën e Qendrore e Universitetit të Prishtinës.
Këtu mund të gjeni edhe manualin për përdorim të kësaj platforme./Katror.info