24-vjeçarja Sophia Sorscha, njëherish kampione e botës 2021, ka vendosur që në garat e ardhshme ndërkombëtare ta përfaqësojë Kosovën, kështu njoftoi Komiteti Olimpik i Kosovës në rrjetin social Facebook.
Nënpresidenti i KOK-ut, Milaim Kelmendi, njëherit kryetar i Federatës Skitare të Kosovës, i shoqëruar nga drejtuesit tjerë të KOK-ut, nënpresidenti Gazmend Maxhuni e anëtari i Bordit Ekzekutiv, Avni Nuha, kanë vizituar skitaren Sophia Sorschag, në përgatitjet të cilat po i kryen në qendrën skitare olimpike, Planika, në Slloveni.
Skitarja e kërcimeve me ski, ka vendosur të lë Austrinë dhe të “fluturojë” për Kosovën në garat e ardhshme ndërkombëtare.
24-vjeçarja është kampione e botës 2021 në ekipore me Austrinë, ndërsa vitin e kaluar mori pjesë në Lojërat Olimpike Dimërore Pekini 2022.
Sorschag ka kaluar lëndimin e pësuar vitin e kaluar dhe në urdhrat e trajnerit të mirënjohur slloven, Jure Radelj, po përgatitet për të qenë sa më e gatshme drejt arritjes së objektivave.
Kelmendi përgëzoi trajnerin Radelj dhe skitaren Sorschag për punën që po bëjnë, derisa pa nga afër potencialin e kampiones së botës, e cila dukej se kishte kaluar në tërësi lëndimin e pësuar.
Nga ana e tij, Radelj dhe Sorschag u shprehën falënderues për vizitën dhe mbështetjen e ofruar.
Të dyja palët, bashkë edhe me presidentin e KOK-ut, Ismet Krasniqi, do të nënshkruajnë kontratën, në një ceremoni, që do të zhvillohet nesër në Trieste të Italisë, ku po qëndron delegacioni ynë për garat e EYOF 2023./Katror.info