Princi dhe Princesha e Uellsit morën pjesë në ceremoninë e Çmimeve Earthshot 2022 të premten mbrëma, e cila njeh pesë fitues çdo vit për kontributin e tyre në mjedis.
Princi William dhe Princesha Kate Middleton janë fotografuar të kapur për dore, një lëvizje mjaft e pazakontë për çiftin mbretëror.
Princi dhe Princesha e Uellsit janë kapur nga aparati rrallë në foto të tilla, por të premten të dy u panë duke mbërritur në vendin e ndarjes së çmimeve, me William që zgjati dorën për të drejtuar Kate. Të dy shkëlqenin nga lumturia teksa dëshmuan se pas afro 12 vitesh martesë dhe tre fëmijëve, mbeten të dashuruar.
Pas çmimeve, Princi dhe Princesha e Uellsit biseduan me të pranishmit ndërsa patën një takim të ngrohtë me David Beckham. Asi i futbollit në fakt ka thyer protokollin dhe është “përkulur” për t’i dhënë një puthje në faqe princeshës Kate.
Duhet theksuar se David Beckham mbante një marrëdhënie të shkëlqyer me Mbretëreshën Elizabeth. Në fund të fundit, kush mund të harrojë se sa emocionues u shfaq në funeralin e saj teksa iu afrua arkivolit të saj pasi priti në radhën e madhe për 13 orë.