Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) do të organizojë sot ceremoninë e nënshkrimit të “Deklaratës Brighton Plus Helsinki”, një dokument ndërkombëtar që promovon barazinë gjinore dhe përfshirjen e grave në të gjitha nivelet e sportit.
Ngjarja do të mbahet me fillim nga ora 11:00, në prani të përfaqësuesve të institucioneve sportive vendore e ndërkombëtare, federatave sportive, si dhe partnerëve të tjerë të KOK-ut.
Me nënshkrimin e kësaj deklarate, Komiteti Olimpik i Kosovës rikonfirmon përkushtimin e tij për të avancuar rolin e vajzave dhe grave në sport, duke zbatuar politika të barabarta dhe duke krijuar mundësi të njëjta për pjesëmarrje dhe udhëheqje.
Përveç KOK-ut, deklaratën do ta nënshkruajnë edhe federata sportive, organizata joqeveritare që merren me të drejtat e grave, si dhe universitete nga vendi.

Në këtë ngjarje të rëndësishme do të jetë e pranishme Annamarie Phelps Annamarie Phelps, kryetare e Sekretariatit të Mbretërisë së Bashkuar dhe bashkëkryesuese e Komitetit Ekzekutiv Global të “IWG women and Sport”, e cila do të shoqërohet nga Tarja Krum, presidente e Komisionit të “ENGSO Equality Within Sport”.
Krahas përfaqësuesve të federatave sportive, të pranishëm do të jenë edhe sportistë elitar, e në mesin e tyre edhe kampionia olimpike, Nora Gjakova.
“Deklarata Brighton Plus Helsinki”, e miratuar nga Unioni Ndërkombëtar i Federatave Sportive (IF), është një instrument global që synon të sigurojë përfaqësim të drejtë gjinor në sport dhe të eliminojë barrierat që kufizojnë pjesëmarrjen e grave në këtë fushë, shkruan RTKlive.
Ky hap i Komitetit Olimpik të Kosovës konsiderohet një moment i rëndësishëm në përpjekjet kombëtare për zhvillimin e sportit gjithëpërfshirës dhe të barabartë në vend./Katror.info
















