Komuna e Gjilanit njofton që është hapur thirrja për aplikim në subvencione për “Panele Solare” për fermerët e Gjilanit. Kështu ka bërë të ditur vetë kryetari i kësaj komune, Alban Hyseni, në një postim në ‘story’ të rrjetit social Facebook.
Në të njejtin postim, ai shfaqi edhe dy fotografi të dokumenteve ku tregohet ndër të tjerash që fermerët duhet të marrin pjesë me 20% të çmimit real të Paneleve Solare, raporton Katror.info.
Po ashtu përparësi në aplikim kanë fermerët që mbarështojnë 10 krerë lopë, 100 dele-dhi, fermerët që mbarështojnë pula vojse ose brojler mbi 2000 copë, fermerët që prodhojnë perime në serra mbi 500m2, fermerët që kultivojnë pemë drufrutore ose pemë të imëta mbi 1 hektar dhe fermerët që kultivojnë perime në fushë të hapur mbi 0.5 hektarë.
Ndërsa dokumentacioni që duhet poseduar për aplikim është si në vijim:
- Kopja e letërnjoftimit të Republikës së Kosovës
- Vërtetimi i tatimit në pronë (origjinal)
- Fleta poseduese e patundshmërisë (origjinal)
- Çertifikata e bashkësisë familjare
- Regjistri i kafshëve në ambulancat veterinare (AVU)
- Për pemëtarët dhe perimtarët- raporti EFR-së
- Mbarështuesit e pulave vojse, brojlerëve të sjellin dëshminë e raportit të EFR-së
Sipas këtij njoftimi, afati për aplikim është 15 ditë pune nga data 25.01.2024, pra deri më 14.02.2024. Po ashtu është thënë që ky aplikim të dorëzohet në Qendrën për Shërbim me Qytetarë./Katror.info
