Me rastin e Ditës Botërore të Turizmit e cila festohet në mbarë botën me datë 27 Shtator, si dhe Ditës Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore e cila festohet me datë 29 Shtator, Komuna e Prishtinës ka njoftuar se dyert e Sahat Kullës do të jenë të hapura për të gjithë vizitorët nga ora 10:00-18:00.
Nga Komuna e Prishtinës ju bëjnë thirrje që gjatë këtyre ditëve ju mund ta shihni kryeqytetin nga një kënd tjetër.
Sahat Kulla gjendet në bërthamën e zonës kulturo-historike të Prishtinës. Është ndërtesë me vlera kulturore, historike dhe arkitekturore e ndërtuar në shekullin XIX. Sahat Kulla gjendet në pjesën qendrore të pjesës së vjetër të Prishtinës në afërsi të Xhamisë së Mbretit dhe gjendet në oborr të ndërtesës së gjimnazit.
Është një ndër monumentet më të rëndësishme të arkitekturës utilitare në Prishtinë. Sahat Kulla është ndërtuar kah fundi i shek. XIX në afërsi të vendit ku ka ekzistuar sahat kulla e përparme. Mekanizmi i orës ka funksionuar deri në vitet ‘70, ndërsa deri në vitin 2001 nuk ka funksionuar, po në këtë vit është vjedhur mekanizmi i orës dhe kambana, ndërsa nga viti 2002 mekanizmi i orës është zëvendësuar me orë digjitale./Katror.info