Kori i Filharmonisë së Kosovës do të hapë sezonin artistik të vitit 2025 me një koncert të veçantë në qytetin e Prizrenit, shkruan Katror.info.
Ky koncert, që premton një përvojë unike muzikore, do të mbahet më 24 janar 2025 në Autostrada Hangar, duke filluar nga ora 19:30.
Programi përmban një përzgjedhje të veprave bashkëkohore, me pjesëmarrjen e Ansamblit Harkor dhe Perkusioneve të Filharmonisë së Kosovës. Kori do të drejtohet nga dirigjenti Hajrullah Syla, i cili thekson rëndësinë e këtij koncerti si një mundësi për të afruar publikun me muzikën bashkëkohore.
Publiku do të ketë mundësinë po ashtu të dëgjojë vepra nga kompozitorët kosovarë e ndërkombëtarë.
“Koncerti do të mbahet në Autostrada Hangar në Prizren më 24 janar 2025, duke filluar nga ora 19:30. Në këtë mbrëmje do të interpretohen vepra nga Kushtrim Gashi, Vasil S. Tole, Hajrullah Syla, Rafet Rudi, si dhe nga dy kompozitorë amerikanë: Jake Runestad, fitues i çmimit Emmy, dhe Eric Whitacre, fitues i çmimit Grammy”, thuhet në njoftimin e Filharmonisë së Kosovës./Katror.info