Kori “Siparantum” nga Kosova po shënon një tjetër kulm në rrugëtimin e tij ndërkombëtar, me dy paraqitje madhështore në kryeqytetin gjerman të Berlinit, në kuadër të festivalit prestigjioz “ChoralSpace”, shkruan Katror.info.
Më 26 prill, në orën 20:00, kori do të performojë në kishën e njohur Matthäuskirche në koncertin ndërkombëtar “Around the World”, përkrah formacioneve korale nga Greqia, Spanja dhe Lituania. Publiku berlinez do të ketë rastin të dëgjojë për herë të parë premierën botërore të veprës “Hear my prayer, O Lord”, kompozuar nga Christian Bährens, një bashkëpunim artistik që ka lidhur ngushtë këtë kompozitor me korin nga Kosova ndër vite.
Performanca do të pasurohet me pjesëmarrjen e solistëve Rizah Jahaj, Leon Shehu, Erijon Palucaj, Diar Meholli dhe Kaltrina Miftari, nën shoqërimin pianist të Agron Shujakut dhe Denita Dedushajt, duke sjellë në skenë një përvojë të pasur muzikore dhe emocionale.
Kulmi i kësaj vizite artistike do të jetë më 27 prill, në orën 11:00, ku Kori “Siparantum” do të ngjitet për herë të pestë në skënën madhështore të Filharmonisë së Berlinit, një ndër sallat më të njohura koncertale në botë. Në këtë koncert përmbyllës të festivalit “Walking in Beauty”, kori do të interpretojë veprën “Zanat e Malit” të kompozitorit kosovar Kreshnik Aliçkaj – një krijim për kor vajzash, violinë, piano dhe përkusion – në bashkëpunim me violinisten e njohur Sihana Badivuku, pianistin Agron Shujaku dhe përkusionisten Aurora Hyseni.
Në pjesën e dytë të koncertit, kori do të bashkohet me 500 koristë ndërkombëtarë dhe orkestrën për të interpretuar veprat më të njohura të kompozitorit dhe pianistit norvegjez Ola Gjeilo, i cili do të jetë vetë prezent në piano.
Një moment i kësaj ngjarjeje do të jetë kur dirigjenti Memli Kelmendi do të ftohet të drejtojë veprën “The Rose” – një nder i madh që konfirmon nivelin e lartë artistik të korit dhe kontributin e palodhur të dirigjentit në afirmimin ndërkombëtar të tij./Katror.info