Këtë të diel do të fillojë Liga Nacionale FIBA 3×3 U23, e cila do mbahet në Sheshin „Zahir Pajaziti“, në qendër të Prishtinës. nga data 10 deri më 12 korrik.
Kjo është hera e parë që një ngjarje e tillë organizohet në Kosovë dhe hera e parë që Kosova garon në U23 Nations League.
Shtetet pjesëmarrëse janë Gjermania, Holanda, Greqia, Turqia, Hungaria dhe Kosova në të dyja konkurrencat.
Të gjitha ndeshjet do të zhvillohen në sheshin “Zahir Pajaziti”, aty ku pritet spektakël i 3×3. Ndeshjet fillojnë nga ora 14:30 dhe do të zgjasin deri në ora 21:00, kurse finalet fillojnë nga ora 20:00, njofton Federata e Basketbollit të Kosovës.
Për Kosovën te meshkujt do të luajnë: Mirlind Zekaj, Donat Rexhepi, Drilon Shala dhe Fatlind Shoshaj, ndërkohë te femrat për Kosovën do të paraqiten: Agnesa Rrahmani, Enisa Kamerolli, Sara Vraniqi dhe Anilë Selmani. /Katror.info