Këtë të premte është hapur pavijoni i Republikës së Kosovës në Ekspozitën e 18-të Ndërkombëtare të Arkitekturës – La Biennale di Venezia.
Ekspozues është Poliksen Qorri-Dragaj, Hamdi Qorri, ndërsa komisionere është Dafina Morina, ku përmes këtij instalacioni fut vizitorët brenda botës së emigrantëve dhe fton për diskutim.
“RKS2 Transcedent Locality” (RKS2 Lokaliteti Transcendent), është i tillë edhe si prezencë e Kosovës. “Parashtrojmë pyetjen se çfarë ndodh me idenë e jetesës e të vendit të banimit. Pastaj si ndikon hapësira e re në pikëpamjen tënde sa i përket shtëpisë”, ka thënë Qorri-Dragaj.
Duket një instalacion krejt i thjeshtë, por bëhet më kompleks kur vizitorët shpejt e marrin vesh se bëhet fjalë për një shtëpi të përmbysur. Në këtë rast, përmbysja nuk prek veç anën vizuale, mirëpo gjurmon në emocionalitetin dhe gjendjen e emigrantëve. Shtron pyetje për qasjen e tyre e njëkohësisht, bën thirrje për diskutim të hapur, përcjell Katror.info.
Fokusin e ka te ndikimi i tyre në arkitekturë e planifikim urban. Instalacioni i dyshes Poliksen Qorri-Dragaj e Hamdi Qorri ka hapur edhe zyrtarisht dyert e Pavijonit të Kosovës në Bienalen Ndërkombëtare të Arkitekturës pasditen e së premtes. Fut vizitorët brenda botës së emigrantëve.
“RKS2 Transcedent Locality” (RKS2 Lokaliteti Transcendent) gjendet në hapësirën ekspozuese “Arsenale”. Është vepër minimale në raport me hapësirën ku gjendet, por brenda thjeshtësisë që e posedon fsheh simbolika të shumta. Duke marrë për bazë transcendencën si terminologji filozofike, paraqet gjendjen e njeriut brenda dy botëve: vendlindjes dhe hapësirës me të cilën përballet në emigrim. Në shtjellim e sipër, kthen vëmendjen te ndikimi që ka emigranti edhe në planifikimin urban të vendlindjes. I përgjigjet fort temës së përgjithshme të Bienales për sivjet, “Laboratori i së ardhmes”, caktuar nga kuratorja Leslo Lokko, e cila ka prejardhje prej Ganës dhe jeton në Britani të Madhe.
“Lokaliteti transcendent” si thirrje për debat
Dyshen e kuratorëve nga Kosova Poliksen Qorri-Dragaj dhe Hamdi Qorri pos profesionit dhe të qenit babë e bijë, i bashkon edhe eksperienca e emigrimit. Si arkitektë e kuratorë të Pavijonit të Kosovës, në ditën e hapjes ata kanë sqaruar se Pavijoni mbi të gjitha bën thirrje për debat.
Qorri-Dragaj ka thënë se koncepti i ekspozitës është quajtur “Lokaliteti transcendent” duke e përdorur terminologjinë e transcendencës dhe përshkruan kalimin e një kufiri. Ka bërë të ditur se këtë terminologji e kanë marrë si koncept e metaforë për ta përshkruar tematikën e migrimit e cila e ka lënë gjurmë të thella në Kosovën e viteve ’90.
“Atë moment e marrim për ta shpjeguar fazën e parë se çka do të thotë migrimi nëse nuk është i vetëvendosur, por i forcuar asokohe nga çështjet politike dhe çka do të thotë migrimi për individin nëse gjendet në një hapësirë dhe rrethanë krejt të re, i shkëputur nga konteksti i mëhershëm dhe çfarë ndodh me atë person”, ka sqaruar ajo për Koha.net.
Sipas Qorri-Dragaj, një aspekt tjetër është prezenca emocionale ose shpirtërore që vazhdimisht lidhet me vendin e braktisur. Ka thënë se individi që ka migruar është në gjendje shumë të ndjeshme.
Bashkëkuratorja nga Kosova derisa ka folur për intalacionin ka thënë se pastaj merret në shqyrtim faza e dytë duke iu referuar asaj që ka ndodhur pas luftës së fundit. Ka përmendur se shumica e refugjatëve kanë vendosur të kthehen në Kosovë dhe më pas ka pasur një periudhë e fortë ndërtimi.
“Qytet në atë periudhë e kanë pasur një detyrë shumë të madhe. Janë rritur për një periudhë të shkurtër dhe i njohim pasojat e atij urbanizimi shumë të shpejtë. Njëzet vjet më vonë jemi duke u ballafaquar me sfidat e asaj periudhe”, ka thënë ajo. Në këtë kontekst hyjnë edhe lëvizjet demografike bashkë me rrethanat e vendbanimeve duke shkuar deri te kualiteti i jetesës. Sipas Qorri-Dragajt planifikuesit urbanë duhet ta hapin e planifikimin për mundësi të ndryshme. Ka përmendur faktin se ka njerëz nga diaspora që krijojnë pjesët urbane.