Qeveria e Kosovës të premten e ka larguar tarifën doganore për mallrat nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, transmeton Koha.net
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se kjo dëshmon marrëdhëniet e mira me SHBA-në.
“Tani e tutje të gjitha produktet nga SHBA do kenë zero për qind tarifë kur të hyjnë në Kosovë. Kosova i mirëpret produktet amerikane në tregun e saj dhe besojmë fuqishëm se kjo do të ndikojë në rritjen e këmbimit tregtar dhe shtimin e investimeve”, ka thënë ai në mbledhjen e Qeverisë.
Qeveria në mbledhjen e 1 gushtit mori disa vendime. Një prej tyre ishte emërimi i Hysen Musliukaj si Drejtor të Përgjithshëm të Institutit të Kosovës për Administratë Publike.
Ka pezulluar marrëdhënien e punës për Sekretarin e Ministrisë së Zhvillimit Rajonal, Besim Kamberaj, për shkak të ngritjes së një aktakuze lidhur me detyrën e tij zyrtare.
“Pezullimi nga detyra në rast të ngritjes së aktakuzës është obligim ligjor i qeverisë”, ka thënë ministri në detyrë i Brendshëm, Xhelal Sveçla.
Qeveria ka ndarë gjithashtu nga 20 mijë euro për familjet e zjarrfikësve Lima dhe Osmanaj, të cilët vdiqën gjatë kryerjes së detyrës. /Katror.info