Sot në Pejë u inaugurua Kosova Innovation Hub, një qendër inovative e dedikuar për fuqizimin e të rinjve në fushën e Teknologjisë së Informacionit (IT).
Në këtë ngjarje mori pjesë Ambasadori Amerikan në Kosovë, Jeffrey M. Hovenier, i cili bashkë me kryetarin e Pejës, Gazmend Muhaxheri, dhe përfaqësues të tjerë lokalë, preu shiritin e inaugurimit.
“I nderuar të hapja Qendrën Kosovare të Inovacionit në Vitomiricë/Pejë me Next Gen Networks Institute dhe kryetarin Muhaxheri. Me ndihmën prej 182 mijë dollarëve të dhuruar nga SHBA-së, Qendra do të ofrojë kurse të avancuara për IT për 200 studentë, duke promovuar përfshirjen dhe rritjen ekonomike. Mezi pres të shoh veçanërisht anëtarët e komuniteteve të margjinalizuara në Pejë të fitojnë aftësi thelbësore për të pasur sukses në tregun në zhvillim të punës,” ka shkruar ai në Facebook.
Kryetari Muhaxheri theksoi rëndësinë e këtij projekti për komunitetet lokale, duke përmendur ndikimin pozitiv që do të ketë Kosova Innovation Hub, veçanërisht në lokalitetin e Vitomiricës, ku jeton një numër i madh i komuniteteve jo shumicë.
Ai theksoi se kjo qendër do të ofrojë mundësi të reja për të rinjtë në këtë zonë.
“Në veçanti, kjo qendër do të ketë një ndikim të madh në lokalitetin e Vitomericës, ku jeton një numër i madh i komuniteteve jo shumicë. Ne besojmë se Kosova Innovation Hub do të jetë një platformë e rëndësishme për të rinjtë e këtyre komuniteteve, duke iu mundësuar të angazhohen, bashkohen dhe të zhvillohen profesionalisht”, ka thënë Muhaxheri.
Kosova Innovation Hub synon të ofrojë një hapësirë kreative dhe arsimore për të rinjtë, duke i pajisur ata me njohuri dhe aftësi për t’u zhvilluar në sektorin e teknologjisë. /Katror.info