Përfaqësuesja e Kosovës në basketboll do të nisë rrugëtimin drejt FIBA EuroBasket 2029 me përballjet ndaj Shqipërisë dhe Sllovakisë në Rrethin e Parë Parakualifikues, shkruan Katror.info.
Ky është vetëm hapi i parë i një procesi që përfshin gjithsej tre rreth, dhe që Kosova duhet t’i kalojë për të debutuar në edicionin e ardhshëm të FIBA EuroBasket.
Kosova dhe Shqipëria kanë zhvilluar shumë ndeshje miqësore më parë, por kjo do të jetë hera e parë që të përballen në gara zyrtare me seniorë. Ndërkaq, përballjet me Sllovakinë kanë histori më konkrete në kualifikimet për FIBA Kupën e Botës 2023: sllovakët fituan 91:67 në nëntor 2020 në shtëpi dhe 77:73 në shkurt 2021 në Prishtinë.
Në ndeshjet miqësore, Kosova dhe Sllovakia janë ballafaquar katër herë, ku sllovakët kanë shënuar tri fitore, ndërsa Dardanët kanë regjistruar një fitore.
Aktualisht, sipas renditjes së FIBA-së për Evropën, Sllovakia pozicionohet në vendin e 31-të, Kosova e 35-ta, ndërsa Shqipëria e 41-ta, duke parashikuar sfida interesante dhe të forta për skuadrën kosovare./Katror.info.