Në kryeqytetin bullgar u mbajt takimi hapës i projektit “GreenBridge”, një iniciativë e përbashkët ndërmjet organizatave nga Bullgaria, Malta, Bosnja dhe Hercegovina dhe Kosova, shkruan Katror.info.
Projekti synon forcimin e kapaciteteve të ofruesve të arsimit dhe aftësimit profesional (AAP) në rajonin e Ballkanit Perëndimor, në përputhje me kërkesat e reja të tregut të punës që burojnë nga tranzicioni i gjelbër dhe digjital i Bashkimit Evropian.
Takimi dyditor shërbeu për vendosjen e bazave të bashkëpunimit dhe planifikimin e aktiviteteve të ardhshme në kuadër të projektit. Pjesëmarrësit diskutuan për objektivat, rezultatet e pritshme dhe ndarjen e përgjegjësive ndërmjet partnerëve për fazat e ardhshme të zbatimit.
Projekti “GreenBridge” ka për qëllim zhvillimin e aftësive të reja për edukatorët dhe trajnerët në fushën e arsimit profesional, përmes programeve të trajnimit që kombinojnë format tradicionale dhe ato digjitale të të nxënit. Synimi është të mbyllet hendeku mes aftësive aktuale të fuqisë punëtore dhe kërkesave të vendeve të punës që lidhen me ekonominë e gjelbër dhe digjitale.
Në kuadër të projektit, do të zhvillohen materialet e trajnimit dhe një platformë mësimore online për të nxitur të mësuarit e pavarur. Gjithashtu, parashihet zbatimi i programeve për trajnimin e trajnerëve, me qëllim që njohuritë dhe përvojat të shpërndahen në mënyrë të gjerë brenda institucioneve arsimore.
Partnerët që marrin pjesë në projekt janë:
- Cleantech Bulgaria (Bullgari)
- FabLab B&H (Bosnje dhe Hercegovinë)
- Agjencia për Arsim dhe Aftësim Profesional dhe Arsimin e të Rriturve (Kosovë)
- The Balkan Forum (Kosovë)
- Srednjoškolski centar “Nedžad Ibrišimović” Ilijaš (Bosnje dhe Hercegovinë)
- B+P (Maltë)
Projekti pritet të kontribuojë në përmirësimin e cilësisë së arsimit profesional në rajon, duke e bërë atë më të përshtatshëm për sfidat që paraqet tranzicioni drejt një ekonomie të qëndrueshme dhe të dixhitalizuar./Katror.info