Në indeksin e Përceptimit të Korrupsionit (CPI) për vitin 2024, të publikuar nga Transparency International, që vlerëson shkallën e perceptimit të korrupsionit në sektorin publik në 180 vende të botës, Kosova shënon rritje për 44 pikë, duke u renditur në vendin e 73-të në nivel global, shkruan Katror.info.
Në rajonin e Ballkanit Perëndimor, Kosova ka kaluar Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Serbinë dhe Bosnjë e Hercegovinën, por është renditur pas Malit të Zi, i cili kryeson në rajon me 46 pikë dhe pozitën e 65-të. Në krahasim me vitin 2012, kur Kosova u përfshi për herë të parë në këtë indeks, progresi ka qenë i vazhdueshëm, por i ngadaltë, me vetëm 10 pikë të fituara përgjatë 12 viteve të fundit.
Raporti vë në pah se rajoni i Evropës Juglindore dhe Azisë Qendrore, ku përfshihet edhe Kosova, mbetet një nga më problematikët sa i përket perceptimit të korrupsionit. Faktorët kryesorë që ndikojnë në këtë situatë përfshijnë dobësitë në sundimin e ligjit, përparimin e ngadaltë të reformave demokratike, cenimin e mediave të lira dhe autokracinë në rritje.
Pas mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare dhe krijimit të institucioneve të reja qeverisëse, Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), degë e Transparency International, ka kërkuar që lufta kundër korrupsionit të vendoset si prioritet kombëtar. KDI thekson nevojën për një strategji efektive të luftimit të korrupsionit, e cila të jetë e shoqëruar me resurse të mjaftueshme financiare.
Po ashtu, ky institucion kërkon që transparenca dhe llogaridhënia në sektorin publik të forcohen si standarde bazike të qeverisjes së mirë, për të parandaluar shpërdorimin e resurseve publike, nepotizmin dhe mungesën e balancës midis pushteteve. Në një kontekst më të gjerë, rezultatet e CPI për vitin 2024 nënvizojnë rëndësinë e veprimeve konkrete dhe të qëndrueshme në forcimin e institucioneve dhe sundimit të ligjit në Kosovë dhe rajon./Katror.info