Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se votimi përmes postës për shtetasit e Kosovës të regjistruar jashtë vendit po vazhdon.
Fletëvotimet mund të dërgohen në kutitë postare të hapura nga KQZ në 22 shtete të ndryshme ose në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë. Periudha e votimit ka nisur më 9 janar dhe do të zgjasë deri më 8 shkurt 2025. KQZ ka nisur tërheqjen e pakove me fletëvotime nga kutitë postare, shkruan Katror.info.
Gjatë ditës së enjte, janë tërhequr 6,054 pako nga kutia postare në Shtutgart të Gjermanisë, të cilat janë dërguar në Konsullatën e Kosovës dhe vendosur në dhomën e sigurisë nën mbikëqyrje të vazhdueshme.
Sipas njoftimit, procesi është realizuar në prani të anëtarëve të KQZ-së, vëzhguesve politikë dhe përfaqësuesve diplomatikë. Në të njëjtën kohë, janë tërhequr 80 pako nga kutia postare në Podgoricë, Mali i Zi, dhe 712 pako nga kutia postare në Vjenë, Austri.
Të gjitha këto pako do të transportohen në Kosovë dhe do t’i nënshtrohen procesit të vlerësimit për të verifikuar vlefshmërinë e tyre.
Numërimi i fletëvotimeve do të bëhet pas ditës së zgjedhjeve në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.
Procesi i tërheqjes dhe vlerësimit të fletëvotimeve është nën mbikëqyrjen e vëzhguesve të akredituar nga KQZ. /Katror.info
Përgatiti:
