Duke qenë se aktivitetet sportive dhe kreative në kryeqytet nuk kanë të ndalur, komuna i ka bërë të gjitha përgatitjet për të konkuruar për titullin ndërkombëtar “Prishtina, Qytet Evropian i Sportit 2024”.
Kështu njoftoi nënkryetarja e Komunës së Prishtinës, Donjeta Sahatçiu në rrjetin e saj social Facebook.
“Gjithçka gati për të fituar titullin “Prishtina, Qytet Evropian i Sportit 2024”!
Sot mbyllëm një fazë të rëndësishme për të përmbyllur kandidaturën tonë për titullin “Qytet Evropian i Sportit 2024” pranë ACES Europe. Deri në fund të javës tjetër presim përgjigjen përfundimtare të vlerësimit.
Këto dy ditë mirëpritëm komisionin vlerësues të kandidaturës në përbërje prej sekretarit gjeneral z. Hugo Alonso, zëvendës presidentit z. Vincenzo Lupattelli, zëvendës ministrin e sportit në Shqipëri z. Endrit Hoxha dhe përfaqësuesin për Evropë Juglindore z. Berislav Čižmek. Dy ditë plot energji! Nga vizita në vizitë, nga një vlerësim në tjetrin, na u tha se jemi në rrugën e duhur!
Derisa Tirana po e mbyllë vitin me titullin “Kryeqyteti Evropian i Sportit 2023” në 2024 në Prishtinë duam t’i tregojmë Evropës se sa e duam dhe e mishërojmë sportin.
Punë e jashtëzakonshme përgatitore nga Graniti dhe ekipi i tij në Drejtoria për Sport. Ky është një shembull tipik se qysh mund të bëhet dallimi kur subjektet politike zgjedhin një përfaqësues të komunitetit t’i bashkohet qeverisjes për të shty përpara politikat në një fushë. Shumë krenare”, shkroi Sahatçiu./Katror.info