Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, është takuar të hënën mbrëma me trajnerin spanjoll, Roberto Moreno. Takimi është bërë në Turqi, ka mësuar KOHA.
Ish-ndihmësi i Luis Enriques te Spanja, 46-vjeçari Moreno është një prej disa kandidatëve për ta drejtuar Përfaqësuesen e Kosovës. Për postin e selektorit të “Dardanëve” janë edhe disa kandidatë, me të cilët, siç mëson KOHA, Ademi do të ketë takime në ditët në vijim.
Moreno së fundi ka qenë trajner te skuadra e Granadas, ndërsa ka drejtuar edhe Monacon. Moreno ka drejtuar disa ndeshje edhe përfaqësuesen e Spanjës, ndërsa ka punuar edhe si asistent te Barcelona, Celta, Roma dhe disa klube tjera evropiane. Ai vlerësohet kandidati kryesor për ta drejtuar Kosovën. Në FFK vlerësojnë se Moreno është i duhuri, ndërsa ka mbetur të shihet nëse kostoja financiare mund të mbulohet.
Kosova është pa selektor. Në ndeshjet e fundit të ciklit kualifikues për “Euro 2024”, Kosovën e drejtoi slloveni Primozh Gliha, që zëvendësoi të larguarin, Alaine Giresse. Më herët Kosovën e kanë drejtuar edhe Bernard Challandes dhe Albert Bunjaki./Katror.info