Prodhuesi gjerman i automjeteve Volkswagen është në bisedime me partnerë të mundshëm, përfshirë Renaultin e Francës për bashkëpunimin në zhvillimin e veturës së tij elektrike prej 20 mijë eurosh, raportoi gazeta gjermane “Handelsblatt”.
Volkswageni është i interesuar të bashkëpunojë në një platformë për veturën që shpreson t’i bëjë automjetet me bateri të përballueshme.
“Bisedimet me Renaultin janë ende në një fazë shumë të hershme dhe mund të dështojnë”, citohet të kenë thënë burimet për gazetën gjermane, transmeton Kosovo Energy.
Prodhimi vjetor prej 200,000 deri në 250,000 automjete është objektivi për të dy partnerët së bashku.
Derisa nga Volkswageni nuk kanë pranuar të komentojnë, një zëdhënës i Renaultit ka thënë se bashkëpunimi është i nevojshëm për të qenë konkurrues me automjetet elektrike me hyrje të vogla.
“Jemi në diskutime të ndryshme por asgjë nuk është finalizuar”, ka thënë zëdhënësi.
Prodhuesit evropianë të makinave kanë shtuar përpjekjet për të sjellë në treg automjete elektrike më të përballueshme pasi përballen me konkurrencë të shtuar nga prodhuesi amerikan i veturave, Tesla dhe modelet më të lira kineze./Katror.info