Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se Kosova është demokracia më e avancuar në Ballkanin Perëndimor dhe një bartëse e vlerave themelore të Bashkimit Evropian. Megjithatë, vendi vazhdon të mbetet vetëm një kandidat i mundshëm për anëtarësim në BE.
Përmes një postimi në Facebook, Kurti theksoi se angazhimi i Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe për vlerat, politikat dhe standardet e tij është më i fortë se kurrë më parë.
Këto komente, Kurti i bëri gjatë një diskutimi të organizuar në Bruksel nga Qendra për Studime të Politikave Evropiane (CEPS), në bashkëpunim me Ambasadën e Republikës së Kosovës, me temën “Rruga e Kosovës drejt BE-së: avancimi i demokracisë, siguria dhe rritja ekonomike.”
“Për më shumë se dy dekada, Bashkimi Evropian ka pohuar se Ballkani Perëndimor e ka vendin në BE. Ky zotim u shpreh qartë në Samitin e Selanikut në vitin 2003 dhe është përsëritur vazhdimisht në konkludimet e Këshillit Evropian. Megjithatë, deri më sot, vetëm Kroacia ka arritur të anëtarësohet”, u shpreh Kurti.
Ai theksoi se prioritetet strategjike të Kosovës janë të qarta: anëtarësimi në BE dhe NATO.
“Për këtë arsye, linjëzimi i plotë me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së është i padiskutueshëm. Qytetarët tanë mbështesin fuqishëm integrimin evropian. Lufta në Ukrainë ka theksuar rëndësinë e unitetit dhe solidaritetit evropian, ndërsa politika e përbashkët e jashtme e BE-së është një instrument thelbësor për paqen dhe sigurinë në kontinent,” tha Kurti.
Kryeministri theksoi se Kosova është plotësisht e harmonizuar me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së, si pjesë e reformave të vazhdueshme që synojnë integrimin evropian.
Ai rikujtoi se, që nga hyrja në fuqi e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA) në prill të vitit 2016, Kosova ka dëshmuar vullnet dhe kapacitet për të përmbushur obligimet që burojnë nga kjo marrëveshje.
“Ne kemi përmirësuar ndjeshëm cilësinë e politikave dhe kemi dëshmuar aftësinë për të zbatuar ‘acquis’-in sektorial të BE-së. Përmes këtij procesi, Kosova për më shumë se 20 vjet ka përafruar legjislacionin dhe institucionet me standardet evropiane”, deklaroi Kurti.
Në fund, ai nënvizoi se Kosova nuk ka një plan B – integrimi evropian është e vetmja rrugë./Katror.info