Me 61 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar në lexim të dytë Projektligjin mbi ndarjet buxhetore për vitin 2025, i cili kap vlerën e 3.6 miliardë eurove.
Partitë opozitare nuk morën pjesë në votim, ndërsa deputetët e mazhorancës nuk i votuan amendamentet e propozuara nga opozita.
Gjatë kësaj seance deputetët e opozitën e kanë akuzuar pushtetin për shkelje në buxhetin e vitin 2025 dhe kanë kërkuar që ai të mos vihet në votim dhe më pas e kanë braktisur seancën.
Buxheti për vitin 2025 është paraparë të jetë 3.6 miliardë euro, teksa investimet kapitale janë paraparë të jenë 930 milionë euro.
Kryeministri Albin Kurti e ka cilësuar buxhetin e vitit të ardhshëm si mundësi për ta rritur mirëqenien e qytetarëve dhe për të zhvilluar ekonominë e vendit.
“Buxheti 2025 me 3.6 miliardë euro, u miratua sot në Kuvend, dhe është për rreth 9% më i lartë sesa buxheti i vitit paraprak, ose 60% më i lartë sesa në 2020 e 50% më i lartë sesa në 2021 (vite këto kur isha kryeministër me buxhete të trashëguara të pararendësve)”, ka shkruar ai në Facebook.
Kurti ka thënë se ky buxhet përmbanë paga më të larta për të gjithë të punësuarit në sektorin publik, rritje prej 20% të pensioneve dhe rritje të shtesave.
“Përmban edhe mbështetjen për bizneset, për gratë ndërmarrëse e të rinjtë që nisin karrierën. Edhe bujqit do të vazhdojnë të jenë më të mbështeturit në rajon”, ka shkruar ai./Katror.info