U shpalos libri me ilustrime “Edi: Labirinti Dardan dhe Porta e Tukanës”, seria e parë novatore që i bën homazh jetës dhe veprës së arkeologes Edi Shkuriu.
Në këtë rrëfim magjepsës trashëgimia e saj jeton përmes aventurave sypatrembur që nis një udhëtim gjurmimi, duke zbuluar misteret e lashta, dhe duke u përballur me sfida të frikshme.
Tregimi fantastiko-shkencor jo vetëm që shfaq mrekullitë e eksplorimit arkeologjik, por gjithashtu thur një histori të forcës dhe këmbënguljes femërore ka thënë Arkeologia Kaltrina Igrishta dhe ilustruesja Eliza Shala të cilat nisën këtë iniciativë për t’i bërë homazh arkeologes së parë në Kosovë, Edi Shukriu, përmes krijimit të librit.
Shukriu, e cila u nda nga jeta më 17 janar të këtij viti, u kujtua si një person shumëdimensional dhe profesionist, duke dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm si për botën akademike ashtu edhe për artin. Si arkeologia e parë në Kosovë, ajo ishte pioniere në eksplorimin e vendeve historike, duke zbuluar artefakte të fshehura dhe duke hedhur dritë mbi trashëgiminë e pasur kulturore, shkruan koha.
Rrugëtimi emocional i Kaltrina Igrishtës gjatë krijimit të librit tregon edhe për thellësinë e lidhjes së saj me profesoreshën Shukriu. Ajo ka treguar se gjatë punës ka luftuar me vetëdyshimin dhe një ndjenjë të thellë përgjegjësie. Ka theksuar se fakti që zgjodhi të mos e botonte librin derisa të ndiente një ndjenjë përmbushjeje flet shumë për përkushtimin dhe respektin e saj.
Kjo vepër u përkrah nga Fondi për Art Feminist i Artpolis, e u mbështet nga programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile ”EJA Kosovë”, bashkë-financuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, Suedia dhe Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut.
Shala ka theksuar se projekti është realizuar në kuadër të thirrjes nga “Artpolis”.
“Projekti ka filluar kur e kemi parë një thirrje nga ‘Artpolis’ dhe kemi aplikuar duke menduar se kjo do të jetë një mundësi shumë e mirë që ta krijojmë një libër komik, diçka që çdoherë kemi pasur dëshirë të bëjmë. Ne jemi fanse të librave komikë dhe i koleksionojmë. Kaltrina e ka shkruar storien dhe unë i kam bërë ilustrimet, gjë që ka qenë sfiduese duke marrë parasysh që nuk është se kemi pasur përvojë në një gjë të tillë. Po shpresoj që e kemi arritur qëllimin që e kemi pasur”, ka thënë Shala./Katror.info