Dizejnatorja Fleta Barakut nga Kosova është shpallur fituese në konkursin e hapur nga MUS-E me seli në Bruksel, iniciativë e cila ka për qëllim promovimin e artit si formë edukimi e bashkëpunimi.
MUS-E e ka përzgjedhur logon e Barakut në nder të 30-vjetorit të themelimit. Në aktivitetet që kjo organizatë do të mbajë këtë verë do të bëhet edhe promovimi i logos, shkruan Koha.net
Që nga viti 2010, kjo organizatë vepron edhe në Kosovë. Përmes projektit “Arti nëpër shkolla” të MES-E kanë pasur mundësi të përfitojnë shkolla të ndryshme të Kosovës. Në janarin e sivjetmë MUS-E kishte hapur një konkurs për logon e tridhjetëvjetorit të saj. Kishin aplikuar artistë nga Italia, Gjermania, Zvicra e Hungaria. Nga përfaqësuesit e 12 shtete të Evropës ku MUS-E operon, fituese e këtij konkursi ishte shpallur Fleta Baraku.
Në një prononcim për KOHËN, Baraku është shprehur e lumtur që logoja e saj do të promovohet nga një organizatë si kjo.
“Është nder dhe privilegj që në mesin e shumë artistëve nga shumë vende të botës, propozimi im për logon e 30-vjetorit të MUS-E të zgjidhet fitues. MUS-E është rrjet i organizatave në mbi 13 vende të botës, me seli qendrore në Bruksel. Përmes MUS-E promovojnë artin si formë edukimi të mirëfilltë duke u ndihmuar të rinjve të jenë më kreativë, të suksesshëm dhe të promovojnë diversitetin dhe tolerancën në komunitet”, ka thënë ajo.
Fleta Baraku ka përfunduar studimet master për dizajn grafik në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës. Për disa vjet ka punuar edhe si ilustratore në OSCE në Hagë, si dhe kohë pas kohe punon konsulente për vizibilitet në projekte të BE-së. Ka punuar edhe logo të tjera për kompani të ndryshme vendore si: “Arabella”, “Kantina Isak”, “ArtWood” e të tjera. Aktualisht punon në “Platforma CiviKos” për komunikim dhe informim./Katror.info