Raporti “Rikthimi i udhëheqjes britanike në Ballkanin Perëndimor”, i përpiluar nga “The New Diplomacy Project”, institut i pavarur kërkimor jofitimprurës, që synon të mbështesë zhvillimin e një politike të jashtme progresive për shekullin XXI, në një pjesë ka trajtuar pengesat e anëtarësimit të Kosovës në Aleancën Veri – Atlantike, NATO.
“Pengesa e Kosovës për anëtarësim në NATO vjen përmes mosnjohjes së vendit nga Spanja, Greqia, Sllovakia dhe Rumania”, thuhet në raport, ku sugjerohet që Britania të forcojë angazhimin diplomatik me këto vende, duke bashkëpunuar me Gjermaninë, Francën dhe Italinë si pjesë e NATO-s në këtë çështje ose bilateralisht ose përmes një marrëveshjeje shumëpalëshe.
“Fakti që Spanja, Sllovakia dhe Rumania njohin Shtetin e Palestinës, por jo Kosovën, tregon se ekziston një mundësi për Mbretërinë e Bashkuar të përdorë peshën e saj diplomatike për të mbështetur njohjen e Kosovës nga aleatët e saj”.
Marrëveshjet tranzitore, bilaterale të sigurisë me Kosovën dhe Bosnje e Hercegovinës në ndërkohë do të dërgonin një sinjal të fortë te Mbretëria e Bashkuar për të promovuar anëtarësimin e të dy vendeve në NATO, në përputhje me përfitimet e ndërsjella të sigurisë.
“Kjo qasje duhet gjithashtu të përfshijë një angazhim më të gjerë për të kundërshtuar operacionet e ndikimit të Rusisë dhe Kinës në rajon, duke përfshirë rritjen e kontakteve bilaterale me qeveritë në rajon, rritjen e programimit të BBC World Service në gjuhët e Ballkanit Perëndimor, forcimin e pranisë së British Council në rajon dhe nxitjen e studentëve nga rajoni për të studiuar në Mbretërinë e Bashkuar”./AP/Katror.info