1 milion euro do t’i përfitojë Kosova nga Luksemburgu në kuadër të një marrëveshjeje për mbështetje të bizneseve në energji të pastër për zbatimin e Skemës së Granteve për Energji të Pastër.
Në prani të ministreve në detyrë, asaj të Industrisë, Ndërmarrëisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari dhe ministres në detyrë të Ekonomisë, Artane Rizvanolli, marrëveshja u nënshkrua nga ushtruesi i detyrës të Agjencisë për Investime dhe Përkrahje të Ndërmarrjeve (KIESA), Zef Dedaj, Agjencisë luksemburgase LUX DEV dhe nga Sekretarja e Ministrisë së Ekonomisë, Leonita Shabani.
Ministrja në detyrë, Rozeta Hajdari, deklaroi se kjo skemë synon përkrahjen e mikro-ndërmarrjeve, atyre të vogla dhe të mesme, në rritjen e efiçiencës së energjisë dhe ndërtimin e një ekonomie të qëndrueshme.
“Qëllimi i kësaj konference është të informojmë bizneset për nënshkrimin e marrëveshjes për zbatimin e skemës së granteve për energjinë e pastër, përkrahjen financiare për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme, e cila vjen si rezultat i mbështetjes financiare që vjen nga shteti fqinj Luksemburgu në vlerë 1 milion euro”- tha Hajdari.
Ambasadori i Luksemburgut në Kosovë, Eric Dietz, tha se përmes kësaj mbështetje financiare synojnë që të nxisin inovacion, ndërmarrësi dhe po ashtu krijimin e vendeve të punës, në veçanti për të rinjtë, gratë dhe po ashtu për grupet e cenuara.
“Pra, në buxhetin prej 1 milioni për energji të pastër shënon një hap në përkushtimin tonë të përbashkët për të avancuar tranzicionin e Kosovës në energji dhe poashtu rezistencën ndaj klimës. Kjo skemë do të ofrojë mbështetje të drejtpërdrejt të sektorit privat duke mundësuar kompanive që të investojnë në energji solare, duke përmisuar efiçencën e energjisë në ndërtesa dhe avancimin e procesit të prodhimit për të reduktuar humbjen e energjisë”- tha Dietz.
Kurse, ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha se kjo skemë mbështet dy strategji dhe bashkëpunimi është kyç.
“Investimi në efiçiencën e energjisë është i rëndësishëm për shumë arsye. Efiçienca do të thotë që në njërën anë të kemi konsum më të efektshëm, por përfshin edhe industrinë. Bashkëpunimi ynë sot nuk është i rastësishëm”- tha Rizvanolli.
Më 04.11.2024, gjatë vizitës së zëvendëskryeministrit të Luksemburgut në Kosovë, Xavier Bettel, mes dy vendeve ishte nënshkruar një memorandum bashkëpunimi me ministren në detyrë Rozeta Hajdari, përmes së cilit synohej të ofrohen projekte të reja për mbështetjen e sektorit privat me vlerë prej 35 milionë euro.
Kallxo.com ka raportuar se Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA) që nga viti 2022 është duke funksionuar me ushtrues detyre të drejtorit të këtij institucioni. Edhe pse dispozitat ligjore aktuale dhe paraprake të Ligjit për Zyrtarët Publikë nuk e parashohin që një person të jetë në këtë pozitë kaq gjatë, Zef Dedaj, është caktuar si zëvendësues i Drejtorit të Përgjithshëm të KIESA-s, siç njihet zyrtarisht pozita e ushtruesit të detyrës, që nga janari i vitit 2022 dhe vazhdon të jetë në këtë pozitë. /Kallxo.com/Katror.info