Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ndërsa ka folur për një takim në janar të këtij viti, të një delegacioni të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me zyrtarë të Departamentit të Mbrojtjes dhe të Departamentit të Shtetit, ka thënë se në atë takim janë diskutuar mundësitë e blerjes së helikopterëve “Black Hawk”.
Gjatë vizitës në kompaninë “Lockheed Martin”, sipas Maqedoncit bisedimet kanë përfshirë detaje teknike dhe financiare, ndërsa aktualisht po zhvillohen analiza para se të kalohet në fazën e blerjes.
Maqedonci ndër të tjera ka potencuar se gjatë muajve të fundit FSK-ja ka pranuar një sërë pajisjesh të reja, përfshirë dronë – mes tyre edhe dronët “Puma” nga SHBA – automjete të blinduara dhe sisteme të tjera ushtarake, disa prej të cilave janë bërë publike dhe disa të tjera jo.
Ai shtoi se gjatë këtij mandati janë bërë investime të konsiderueshme, rreth “400 milionë euro”, për blerjen e armatimit dhe pajisjeve të ndryshme, ku shumica e marrëveshjeve janë realizuar përmes bashkëpunimeve “shtet më shtet”.
Duke folur për shtimin e kapaciteteve të FSK-së me dronë luftarakë, ka thënë se një gjë e tillë është rezultat i analizave strategjike, që synojnë përshtatjen me zhvillimet teknologjike në nivel global.
“Kosova po ndërton kapacitete moderne për t’u përballur me sfidat e sigurisë. Përdorimi i dronëve luftarakë është pjesë e kësaj strategjie”, ka thënë Maqedonci, në një intervistë për Radio Televizionin e Kosovës, RTK.
Ai kujtoi se vitin e kaluar është miratuar koncepti i ri i “mbrojtjes gjithëpërfshirëse”, i cili ka për qëllim përfshirjen e qytetarëve në sistemin e mbrojtjes përmes angazhimit vullnetar.
“Ky koncept u mundëson qytetarëve të kontribuojnë në mbrojtjen e vendit dhe ndihmon në përgatitjen e brezave të rinj që të jenë pjesë aktive e sistemit tonë mbrojtës”, theksoi ai./AP/Katror.info



 
			







 
                                
                             

