Nëse ecet me këto ritme, gjithçka do të përfundojë në vitin 2027.
Kështu ka pohuar Komisionerja për Zgjerimin në Bashkimin Evropian, Marta Kos, teksa ka dhënë mesazhin e saj për rrugëtimin e vendit drejt Bashkimit Evropian nga qyteti i Elbasanit, ku iu bashkua festimeve për Ditën e Verës.
Ajo ka thënë se Shqipëria ka ecur me reformat, por se, ka ende punë për të bërë deri në anëtarësimin në BE.
“Unë pata mundësinë që të takohesha me aktorë politikë, mund të them që Shqipëria ka ecur në mënyrë të mrekullueshme, po ka ende shumë punë dhe reforma për të bërë. Por në rast se ecet me ritmin që ka qenë deri tani, atëherë patjetër që do të përfundohet gjithçka në 2027″, ka thënë Kos.
Po ashtu ajo ka bërë me dije edhe përpjekjen për vijimin e fondeve.
“Do të përpiqemi që këto fonde të vijojnë në mënyrë që këto projekte të vijojnë punë. Ajo që kam fort për zemër janë ato që kanë të bëjnë me rininë dhe brezat e ardhshëm”.
Sakaq, ajo ka përgëzuar qytetarët shqiptarë për gjithçka që kanë arritur.
“Duke vijuar me këtë ritëm pune dhe me atë pasion shpresoj që së shpejti BE të mos jetë me 27 shtete, por me 28 vende kur Shqipëria të bëhet shtet anëtar”.
Ndër të tjera, Kos ka uruar shqiptarët për Ditën e Verës, tregoi edhe arsyet pse vendosi dy verore. “Më thanë që këto sjellin fat, prandaj vura dy një për Shqipërinë një për BE-në që të jenë fatsjellëse”.
“Është hera e parë që vij është kënaqësi që kam ardhur në Elbasan në Ditën e Verës në këtë ditë kaq të bekuar për qytetin tuaj”.
Kos tregoi se ishte në Elbasan për të parë nga afër projektet që mbështeten me fondet e BE-së.
“Kam pasur mundësi të shkoj në disa projekte shumë të rëndësishëm që financohen nga BE. Pikë së pari, në patëm kënaqësi që të takojmë disa gra që bëjnë qilima të mrekullueshëm, biseduam me to për të shkuarën e tyre dhe pastaj shkuam edhe në një projekt tjetër që financohet me fondet tona dhe është një projekt që ndihmon gratë e dhunuara. Ishte e vështirë, por edhe inkurajuese që të bisedonim me to. Ndërkohë gjëja më e bukur ishte se shkuam te shkolla Dhaskal Todri dhe biseduam me nxënësit e asaj shkolle që ishin të mrekullueshëm”./Katror.info