Teatri Kombëtar i Kosovës ka njoftuar për premierën e shfaqjes “Martesa” më 20 shtator. Me autorësi të Witold Gombrowicz e adaptim dhe regji nga Norbert Rakowski, shfaqja do të sjellë një rrëfim për përditshmërinë, një studim të çuditshëm mbi njeriun e zhytur në ëndërr.
“Motivi kryesor i shfaqjes është pyetja nëse në një botë paskonfliktuale është e mundur të rindërtohen vlerat, marrëdhëniet dhe rendi. Motivi i veprimit dramatik në ‘Martesë’ është lufta për identitetin, për dinjitetin, për rikthimin e rendit moral”, njofton TKK.
Në shfaqje do të luajnë Armend Smajli, Shkelzen Veseli, Ylber Bardhi, Mensur Safqiu, Sheqerie Buqaj, Era Balaj, Adhurim Demi.
“Akti i martesës, në vend që të jetë një simbol tradicional i unitetit, në dramë bëhet një përpjekje për të lidhur një “pakt” midis personazheve që përfaqësojnë pritshmëri dhe vizione të ndryshme, shpesh kundërshtuese, për të ardhmen”, vazhdon njoftimi./Katror.info