Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) dhe Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare (OEGJK) kanë nënshkruar një Memorandum Bashkëpunimi, me synimin për të forcuar partneritetin ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë.
Ceremonia e nënshkrimit u mbajt të mërkurën në ambientet e OEK, ku drejtues të të dy institucioneve theksuan rëndësinë e këtij bashkëpunimi për zhvillimin ekonomik të vendit dhe krijimin e mundësive të reja për sektorin privat.
Sipas memorandumit, palët do të bashkëpunojnë në fusha kyçe si: Promovimi i arsimit dual dhe aftësimit profesional, Nxitja e Investimeve të Huaja Direkte në Kosovë, Organizimi i takimeve B2B, forumeve dhe eventeve të biznesit, Zhvillimi i bashkëpunimit ndërshtetëror në fushën e ekonomisë, tregtisë dhe inovacionit, njofton OEK.
Në njoftim thuhet se ky bashkëpunim është mbështetur nga projekti Fit for Jobs – GIZ Kosova, i cili kontribuon në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe fuqizimin e fuqisë punëtore në Kosovë.
Nga ky hap pritet që të rritet qasja e bizneseve kosovare në tregun gjerman, të krijohen më shumë mundësi për shkëmbim përvojash dhe të thellohet bashkëpunimi ndërmjet komuniteteve të biznesit të të dy vendeve./Katror.info