Mërgim Kelmendi, që pingpongistët në Kosovë e njohin për donacionet e shpeshta për klubet e ndryshme të pingpongut, ka arritur një sukses të madh në Finlandë. Pingpongisti dhe trajneri ka fituar medaljen e argjendtë në atë që njihet si klasa C në kompeticionet e Finlandës në nivel vendi.
“Medalje argjendi në çift në klasën C. Ndihem mirë që kam marrë medaljen time të parë,” ka shkruar Mërgimi në Facebook, duke treguar se partneri i lojës në çift, Tommi Sjöberg fitoi medaljen e artë në klasën C.
Mërgimi udhëheq klubin e tij të Pingpongut Turun Pyrkivä në qytetin Turku në Finlandë, ndërsa ka ndihmuar në themelimin edhe të shtatë klubeve të tjera.
Si për simbolikë, Mërgimi i shpjegon Katror Medias se bluzat që i kanë pasur veshur në gara janë të bëra në Kosovë.
Katror Media i pat kushtuar Mërgimit një edicion të Aktivizmit Qytetar, me rastin e dhurimit të pajisjeve për pingpong klubeve në Kosovë. Ai ka treguar se ka shkuar në Finlandë që 25 vjet kur ishte vetëm 7 vjeçar. Me pingpong merret që 18 vite, ndërsa trajner pingpongu është qe 6 vjet. AI ushtron me fëmijë, ndërsa e udhëheq klubin e tij në Finlandë./Katror.info