Merita Pinta është tashmë një emër mjaft i njohur në komunitetin shqiptar të Zvicrës. Ajo është pronare dhe presidente bordi e firmës “Prima Pflege” në kuadrin e së cilës funksionojnë 5 qendra ose shtëpi pleqsh. Merita është në krye të një ekipi prej rreth 100 punonjësish të shëndetësisë që funksionon për mrekulli. Në intervistën për albinfo.ch ajo shpalos rrëfimin për rrugën e saj të veçantë jetësore.
Merita Pinta ka lindur më 15 gusht 1978 në bjeshkët e Jezercit. Babai i Meritës, Shabani, në vitet 80-ta doli të punonte në Zvicër.
Pasi mbaroi shkollën fillore në Aarau, bëri një praktikë gjashtëmuajshe në Spitalin Kantonal të Badenit. Aty edhe nisi karriera e Meritës në këtë fushë.
Merita tregon se si përfundoi profesionin për asistente. Para 21 vitesh Merita u martua dhe krijoi familje me bashkëshortin, Bajram Pinta, ku sot kanë dy djem.

Merita shpalosi rrugëtimin e saj që nga studimet për infermieri dhe ato pedagogjike.
“Brenda 15 viteve të fundit përfundova studimet për infermiere, pastaj diplomova në fushën pedagogjike të arsimit ku edhe mbaja përgjegjësinë kryesore për nxënësit dhe studentët në firmën ku kam punuar më parë. Mandej vazhdova me studimet për menaxhim në institucionet shëndetësore dhe paralelisht diplomova edhe për sigurinë e kualitetit. Për mua ka qenë një kohë me sfida e përvoja të ndryshme por edhe e pasur me mësime jetësore”, rrëfen Merita.
Ajo gjithashtu tregoi se për herë të parë udhëheqjen e një shtëpi pleqsh e mori qysh pas përfundimit të studimeve.
“Menjëherë pasi mbarova studimet, kam udhëhequr dy qendra në firmën “Betreutes Wohnen Aargau”. Si pronare dhe presidente e bordit jam që nga themelimi i firmës “Prima Pflege”, para tri viteve”, shtoi Merita
Ndonëse paragjykimi që është grua dhe sidomos grua me prejardhje nga Kosova shumë herë rezulton të jetë pengesë që shumë gra të mos i realizojnë qëllimet e tyre, për Meriten këto barriera janë tejkaluar pa problem.
“Prima Pflege” është rritur shumë shpejt. Fillimisht kishim 20 punëtorë kurse tash kemi afër 100. Ndërsa roli im si grua shqiptare në menaxhim ka sjellë rezultate shumë të suksesshme biznesi në vitet e kaluara. Kësaj i gëzohem shumë dhe besoj se do të zhvillohet mirë edhe më tutje. Me siguri se kam përjetuar edhe unë raste ku të tjerët të shohin si të huaj. Por mendoj se kur shkojmë në një vend të huaj, nuk do të thotë që t`u nënshtrohemi të tjerëve me paragjykime por të jemi të vetëdishëm dhe të mbrojmë drejtat tona, të punojmë për një integrim të dyanshëm, cilësor. Ta ruajmë identitetin personal dhe kombëtar me një vetëdije të lartë, është diçka legjitime”, rrefen Merita.
Ajo gjithashtu shpjegoi se si ia del t’i menaxhoi 5 shtëpi të pleqëve dhe cilat janë sfidat.
“Shtëpitë funksionojnë me një koncept bazik të definuar nga Organizata “Prima Pflege”. Kemi pleq të cilëve u duhet për 24 orë në ditë ndihma jonë. Por ka edhe nga ata të cilëve ndihma e personelit u nevojitet vetëm për disa aktivitete të ditës. Të gjitha shtëpitë janë 24 orë në funksion”, tregon Merita.
Për më tepër ajo tregoi reth bashkëpunimit me violinistin e njohur Shkelzen Doli dhe çka i bën bashkë këta dy shqiptarë që jetojnë dhe veprojnë në Zvicërr.
“Unë dhe Shkëlzen Doli jemi themelues të firmës në Zvicër “Pinta & Doli Group AG”, që u themelua në dhjetor të vitit të kaluar. Gjithashtu kësaj firme i bashkëngjitet edhe “Swiss Arts Corporation”. Shërbimet kryesore të firmës tonë janë organizimi i koncerteve, eventeve, në Zvicër dhe jashtë Zvicrës. Mund të them se e kemi marrë ndoshta si një obligim kombëtar që muzikën dhe artin shqiptar ta prezantojmë si është më së miri. Jam e bindur se në art dhe në kulturë fshihen shumë vlera të bukura kombëtare. Ndihem e privilegjuar e me shumë fat të madh të bashkpunoj në këtë drejtim me artistin e madh siç është Shkëlzen Doli. Dhe nuk njoh dikë tjetër që na sjell kaq ngjyra të bukura artistike shqiptare. Për të kam respektin më të madh që mund të kihet për një njeri. E falënderoj përzemërsisht dhe publikisht që na e prezanton anembanë botës me tingujt e violinës muzikën e bukur autoktone shqiptare”, përfundoi Merita./Katror.info