A keni gjëra që doni t’i dhuroni apo të merrni gjërat që ju nevojiten?
Një zgjidhje unike që nuk kerkon para në këmbim, por bëhet krejtësisht në mënyrë vullnetare e humane, tani është një klikim larg.
Platforma ‘Merrfal’, u krijua me qëllimin që gjësendet apo produktet e papërdorura të dhurohen për ata që kanë nevojë dhe anasjelltas.
Për detajet rreth kësaj platforme që lehtëson shërbimet dhe nevojat e komunitetit tonë na foli njëri nga anëtarët e grupit, Enis Kelmendi.
“Grupi Merrfal është një grup vullnetar me karakter punues ku kemi domethënë projekte të ndryshme të cilat i bëjmë për të kontribuar në shoqëri. Ideja është dhënë brenda grupit. Ka pasur kështu një lloj brainstorming për një ide me të cilën të kontribuojmë në shoqëri dhe nga ato brenga, të cilat veçse i kemi në shtëpitë tona, sot po jetojmë në një botë kështu shumë të komercializuar, konsumi përtej nevojave tona, shpeshherë dinë të na grumbullojë brenda shtëpive tona produkte të ndryshme të cilat ndoshta na mbesin aty dhe nuk i përdorim më si pasojë që blejmë produkte të reja dhe ato ose i zë pluhri ose shpeshherë dinë edhe t’i hudhnim në mbeturina”, tha ai.

Lloji i produktit që dhurohet në këtë platformë është i pakufizuar, përveç atyre produkteve që janë të papërshtatshme në kuptimin e përmbajtjes së produktit.
“Një platformë e tillë, ku gjërat të cilat i kemi përdorur janë në gjendje të mirë të ripërdorshme t’i dhurojmë për të tjerët të cilët mund të kenë nevojë për to, pa marrë parasysh se kush janë domethënë synimi nuk është vetëm patjetër personat në nevojë por e gjithë shoqëria, ndonjë student nëse ka nevojë për ndonjë libër, njerëz të ndryshëm, domethënë ndonjë baba për ndonjë pajisje shtëpiake”, shtoi Enisi.
Ndërsa, platforma është krijuar me një përkushtim të atillë ku përdorimi i saj është i thjeshtë dhe i kuptueshëm për çdo moshë.
“’Platforma është kriju, domethënë është zhvilluar me një teknologji më të fundit e me një dizajn shumë modern, shumë të thjeshtë, çdokush besoj nga pothuajse prej të gjitha grupmoshave që dinë ta përdorin internetin mund ta shfrytëzojnë platformën shumë lehtë. Personat që dëshirojnë vetëm me marrë nuk kanë nevojë për t’u kyçur në platformë fare, ndërsa persona që dëshirojnë të dhurojnë produkte të hapin kështu një llogari të thjeshtë përmes Google Account. Pastaj, hapi tjetër, menjëherë pas kyçjes është vetëm shënimi apo i të dhënave tua tek profili, domethënë, një numër të telefonit, një adresë, mund të jetë adresa jote e saktë, por nëse dëshiron me qenë kështu më anonim”, tha tutje ai.

Enisi dhe ekipa e tij punuan jashtë orarit për një periudhë të gjatë për të sjellë platformën në funksion, ani pse nga kjo nuk përfitojnë asgjë matreiale. Përdorimi i madh i saj nga qytetarët i motivon ata të vazhdojnë tutje në zhvillimin e saj.
“Ne kemi punuar domethënë jashtë kohës, agjendave tona ditore në angazhimet tonë në punët tona, mirëpo edhe nga ai aspekti tjetër që kemi dashur ta bëjmë platformën sa më inovative, sa më të thjeshtë, ato detaje të zhvillimit kanë marrë pak kohë mirëpo është përfunduar dhe pritja ka qenë shumë e mirë, sidomos komuniteti i teknologjisë e ka pritë shumë mirë. Diku vetëm javën e parë kanë qenë rreth tetëdhjetë mijë shfletime të platformës mbi pesëmbëdhjetë mijë përdorues unikë, pastaj, nga ai aspekti i përdoruesve të regjistruar është numri pak më i vogël, se shumica ndoshta i përdorin me marrë, një pakicë kështu ma e vogël për me dhënë”, theksoi ai.
Ani pse i gjithë ekipi punon në profesionet e tyre, ata nga shtëpia rregullojnë çështje të ndryshme teknike të platformës duke i bashkuar puna vullnetare dhe bindja që e mira ndaj të tjerëve u bën mire edhe vetë atyre.
“Motivi ynë ka qenë kështu, si të themi, i dalë nga vlerat tona të besimit edhe nga ai aspekti që besojmë se çdo punë e e mirë që bëhet për kontribut në në shoqëri për publikun e gjerë shpërblehet. Për këtë arsye e kemi marrë këtë iniciativë edhe i kemi pasur atë motivin e duhur që të na përcjellë kështu gjatë rrugës në mes sfidave të ndryshme siç është koha në aspekte teknike, që zhvilluesit kanë hasur për shembull probleme më shumë në platforma veçse është lansuar diku rreth një muaji e gjysmë më pare. Por, ne fillimisht kemi pasur kështu brenda grupit tonë një feedback të brendshëm çka ka pas telashe të ndryshme platforma, ndonjëherë ka pas probleme që nuk është shfaqur rezolucioni i fotografive në mënyrë të duhur apo disa probleme të tjera teknike, që me feedback tonë të brendshëm janë rregulluar pastaj kur të publikohet për gjithë publikun, të jetë pa probleme, të jetë sa më e qasshme, sa më e lehtë për të gjithë ne prapë domethënë edhe kur e kemi lansuar për për publikun, ka pasë edhe feedbacke të ndryshme, edhe ide që që na janë dhënë”, tha Enisi.

E një sugjerim konkret që e zhvilloi tutje platformën ishte edhe kjo.
“Kështu kemi pasur diçka disi si keqkuptime në fillim të platformës. Njerëzit e ndryshëm mendoheshin që mundesh me kërku diçka specifike që ata kanë nevojë e pastaj të tjerët ta shohin dhe ta dhurojnë. Ishin diku rreth tre-katër persona që na kontaktuan me një qëllim të tillë. Ne fillimisht ua sqaruan që nuk ka qenë ky synimi i platformës, por pastaj kështu e menduam dhe e thamë që me të vërtetë është një ide e mirë që ta implementojmë në të ardhmen në platformë, se edhe ai dhurimi në këtë moment kur bëhet, kur e di që dikush menjëmend e ka nevojë një gjë të tillë, ajo zemërgjegjësia është kështu më e madhe”, shtoi tuje ai.
Përtej lodhjes e mundit, punën vullnetare Enisi e sheh si si të domosdoshme për zhvillim të një shoqërie.
“Zhvillimi i çdo shoqërie, nëse nuk e ka edhe aspektin e punës vullnetare e dëshirës për të bërë mirë, për për të kontribu në shoqëri pa e pasë ndoshta ndonjë, si të themi, shpërblim ose interes, menjëherë asnjë shoqëri nuk mund ta ta arrijë atë kulmi ose atë arritjen më të lartë të saj, nëse nuk nuk janë iniciativat e ndryshme vullnetare që me të vërtetë e kanë brengë dhe dëshirojnë që të kontribuojnë edhe të ndihmojnë tek të tjerët”, përfundoi Enisi.
“Merrfal” nuk u bë vetëm zgjidhje e nevojave, por aktivizoi edhe shume njerëz tjerë vullnetmirë, që u paraqitën për të kontribuar në mirëmbajtjen e platformës. Kjo tregon më së miri se gjërat e mira mund të fillojnë vetëm, por ato nuk përfundojnë si të tilla. /Katror.info
Edicionin #40 të plotë e gjeni KËTU! 🙂

Përgatiti:
