Lionel Messi e Julian Alvarez kanë shkëlqyer në fitoren e thellë dhe të lehtë të Argjentinës ndaj Kroacisë. Të martën mbrëma, Argjentina fitoi 3:0 ndaj Kroacisë për t’u bërë finalistja e parë e Kupës së Botës në Katar.
Të dielën në finale, Argjentina takohet me fituesin e ndeshjes Franca – Maroku. Ndërkohë Kroacia të shtunën luan për vendin e tretë.
Lionel Messit, një prej futbollistëve më të mirë që ka njohur historia e futbollit, iu desh të luante ndeshjen e 25-të në Botëror për të thyer rekordin e Omar Gabriel Batistutës si golashënuesi më i mirë Argjentinës në finalet e Kupës së Botës.
“Batigol”, i cili ka zhvilluar 12 ndeshje në tri botërorë ku ka marrë pjesë, ishte ndalur në kuotën e 10 golave, ndërsa Messi, me 11-metërshin e realizuar kundër Kroacisë, shkoi në kuotën e 11 golave. Rekordi i Gabriel Batistutës nuk thyhej prej 20 vitesh.
Shtatë herë fituesi i Topit të Artë pritet ta barazojë edhe rekordin e legjendës gjermane, Lothar Matthaus,, në rast kualifikimi, ose në finalen për vendin e tretë./Katror.info