Prej vitesh kemi dëgjuar spekulime për një version me pagesë të Facebook-ut dhe tani duket se Meta po mendon seriozisht të vendosë abonime jo vetëm për Facebook, por edhe për Instagram.
Në këtë rast, arsyeja nuk është dëshira për një model të ri biznesi për të marrë një burim të ri të ardhurash, por detyrime dhe përgjegjësi të reja që, sipas ligjit që ka hyrë së fundmi në fuqi në BE, kanë platformat më të mëdha të internetit dhe rrjetet sociale, shkruan Katror.info.
Me futjen e abonimeve në këto platforma Meta, nuk do të kishte më nevojë për gjurmimin e të dhënave pasi përdoruesve të këtyre rrjeteve sociale nuk do t’u shfaqen më reklama. Tre burime të njohura me situatën në kompani kanë treguar për mediat se kompania e Zuckerberg po e konsideron seriozisht këtë lëvizje. Sipas këtyre burimeve, Meta së shpejti mund të fillojë të bëjë ndryshime dhe, për përdoruesit që nuk duan t’u shfaqen reklama, të përdorin versionet e Facebook dhe Instagram që do të kërkojnë pagesën e një abonimi mujor.
Do të jetë interesante të shihet shifra që do të vendosë Meta, sepse shuma e abonimit mujor duhet të jetë një element kyç për shumë përdorues, të cilëve u duket interesante kjo ide e një Facebooku që nuk do të shfrytëzojë të dhënat e tyre dhe do t’u tregojë reklama mjaft interesante dhe të cilët janë të gatshëm për të paguar për atë përvojë.
Sigurisht, me futjen e versioneve të abonimit të Facebook-ut dhe Instagram-it, Meta nuk do të zgjidhë problemet e veta që sjell Ligji Evropian i Shërbimeve Digjitale, sepse shumica do të vazhdojë të përdorë versionet falas që financohen nga reklamat, që do të thotë se do të ndjekin akoma të dhënat e shumicës së përdoruesve. Por siç komentuan ata për Engadget, ky ndryshim duhet t’u tregojë rregullatorëve evropianë se kompania është e gatshme të bashkëpunojë me ta dhe të përshtatë operacionet e saj me ligjet e Bashkimit Evropian.
Për shkak të moszbatimit të këtyre ligjeve, Meta ka paguar tashmë gjoba të mëdha në Bashkimin Evropian, kështu që në fillim të këtij viti u gjobit me 1.2 miliardë euro për transferimin e të dhënave të përdoruesve evropianë në serverët në SHBA, ndërsa vitin e kaluar u gjobitën me 265 milionë euro për numrat e telefonit dhe të dhënat e tjera të përdoruesve të Facebook që përfunduan online.
Facebook aktualisht ka pothuajse 3 miliardë përdorues në mbarë botën, ndërsa numri i përdoruesve të Instagramit është rreth 2.35 miliardë dhe duke qenë se të gjithë janë mësuar të kenë qasje falas në këto rrjete, do të jetë interesante të shihet se si do të shkojë eksperimenti i mundshëm evropian dhe nëse Meta do të ofrojë abonimet për versionet e rrjeteve të saj të njohura sociale për përdoruesit edhe në tregje të tjera./Katror.info