Në Spanjë po qarkullon një zë që po ndez spekulimet e merkatos verore: Barcelona po shqyrton mundësinë e një shkëmbimi mes mbrojtësit Ronald Araujo dhe yllit të Milanit, Rafael Leao, sipas raportimeve nga media afër klubit katalanas.
Araujo, një nga mbrojtësit më të besueshëm të Barcelonës, është në radarët e Milanit nëse Massimiliano Allegri rikthehet në krye të kuqezinjve. Në të kundërt, Leao është objektiv afatgjatë për Barcelonën që kërkon të forcojë sulmin me një profil shpërthyes dhe të adaptueshëm, shkruan Katror.info.
Por përkundër entuziazmit rreth një ideje të tillë, marrëveshja mbetet jashtëzakonisht sfiduese. Leao konsiderohet si shtylla e projektit të ri të Milanit, si në fushë ashtu edhe në aspektin komercial, ndërsa Barcelona përballet me kufizime financiare të rrepta dhe presion për të shitur lojtarë me vlerë të lartë.
Në këtë fazë, gjithçka është ende në nivel spekulimi, por emrat e përfshirë garantojnë një verë transferimesh të nxehtë./Katror.info