Mentor Bilali shef i Klinikës së Gastroenterologjisë dhe Hepatologjisë në SRO të Langenthalit në Kantonin e Bernës, ka zhvilluar së fundi një aplikacion elektronik që lehtëson punën me pacientët. Fjala është për aplikacionin “doctogo”. Në një intervistë për Albinfo.ch ai flet për motivin që e ka shtyrë atë së bashku me ekipin, për të realizuar këtë aplikacion dhe shpjegon në hollësi mënyrën e funksionimit të tij.
“Si mjek, kam kontakte të vazhdueshme me pacientët. Për një ekzaminim dhe diagnozë të suksesshme nuk është shumë e rëndësishme vetëm prania e pacientit në konsultë, por edhe dokumentimi im i plotë me të dhënat e nevojshme për ekzaminimin. Shpesh është e vështirë për pacientët të dinë se cilat dokumente janë të rëndësishme për konsultimin me mua ose me një mjek tjetër dhe cilat jo. Kështu, mungojnë dokumentet e rëndësishme dhe për rrjedhojë mungojnë informacionet. Pacientët kujtojnë se kanë bërë një ekzaminim te një specialist, por raporti nuk është i disponueshëm as për ta dhe as për mjekun e familjes. Hetimi mund të kryhet vetëm në një masë të kufizuar dhe dokumentet që mungojnë duhet të sigurohen. Trajtimi i pacientëve pa disponueshmërinë e dokumenteve përkatëse për trajtimin mund të çojë në trajtim të gabuar ose mjekim të gabuar, gjë që mund të ketë pasoja të rënda për shëndetin e pacientit.
Kjo është arsyeja pse ne kemi ardhur me idenë e zhvillimit të një aplikacioni në mënyrë që pacientët të kenë mundësinë të kenë të gjitha dosjet dhe dokumentet me vete në çdo kohë dhe kudo, pavarësisht nëse ndërrojnë mjekun apo janë jashtë vendit.”
Ai thotë se aplikacioni “doctogo” u ofron përdoruesve një regjistër të pavarur elektronik të pacientit me të cilin ata mund të kenë qasje të drejtpërdrejtë në të dhënat nga historia individuale mjekësore dhe të dhëna të tjera mjekësore nëpërmjet telefonit celular. Në veçanti, aplikacioni bën të mundur kërkesën, ruajtjen, menaxhimin ose shkëmbimin e të dhënave me palët e treta. Vetëm përdoruesit përkatës vendosin se cilat të dhëna individuale shëndetësore dhe mjekësore përdoren nëpërmjet aplikacionit dhe në çfarë forme.
Aplikacioni përfshin gjithashtu informacione shëndetësore (si grupi i gjakut, alergjitë, karta e sigurimit shëndetësor, etj.), dosjen e pacientit (dosjet e ndryshme të organizuara sipas temës) dhe po ashtu një funksion për regjistrimin e takimeve dhe planifikimin e mjekimit.
Qëllimi i aplikacionit “doctogo” është të forcojë cilësinë e trajtimit mjekësor, të përmirësojë proceset e trajtimit, të rrisë sigurinë e pacientit dhe të rrisë efikasitetin e sistemit të kujdesit shëndetësor si dhe të promovojë arsimimin shëndetësor të përdoruesve.
Aplikacioni “doctogo” përputhet me Aktin Federal të Mbrojtjes së të Dhënave, thotë ai./Albinfo.ch/Katror.info