Ferizaj po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një galeri arti të hapur – këtë herë, falë ndërhyrjes artistike të Mural Fest në nënkalimet e reja të qytetit, shkruan Katror.info.
Me hapjen për publikun të këtyre hapësirave urbane, artistët e Mural Fest i kanë dhënë jetë mureve me ngjyra, figura dhe mesazhe që i japin qytetit një frymëmarrje ndryshe. Përtej kalimit fizik, këto nënkalime tani ofrojnë edhe një përvojë vizuale, duke i shndërruar në korridore arti.
“Gjithmonë ndihemi të lumtur që kontribuojmë në pasurimin artistik të Ferizajt”, shprehen organizatorët e festivalit, të cilët falënderuan Komunën e Ferizajt dhe kompanitë lokale Linda e Bardhi për përkrahjen, duke e quajtur këtë një bashkëpunim që sjell vlera të prekshme për komunitetin.
Në qendër të këtij transformimi qëndrojnë vetë artistët: @reemaschrome, @silverscape., @hana_haziri22, @elda.h__, @eduard.tp, @doruntina_qosa, @mysterysclementine, @yllivaja, @erandbytyqi, @albisonna_maloku, @theweakest_man, @erzaaaa.e, @djellza.a___ dhe @antike_art – të cilët përmes krijimtarisë së tyre, sollën në sipërfaqe historitë dhe ngjyrat që rrinin të heshtura në beton.
Në vend të kalimeve të zymta e gri, tani qytetarët ecin nën piktura që frymëzojnë, nxisin mendimin kritik dhe festojnë identitetin lokal. Ferizaj, gjithnjë më shumë, po bëhet një qytet ku arti është pjesë e jetës së përditshme – edhe kur je rrugës për të kapur autobusin./Katror.info