Në kuadër të Rame Lahaj International Opera Festival, dje në Prishtinë u mbajt një koncert i veçantë dedikuar fëmijëve, duke e kthyer hapësirën e Hyperactive në një arenë emocionesh, muzike dhe ëndrrash të mëdha për më të vegjlit e qytetit, shkruan Katror.info.
Nën dirigjimin e Vehbi Shoshollit, Orkestra dhe Kori i Fëmijëve “Amadeus” sollën një përjetim të rrallë muzikor për publikun më të ri, duke i larguar për pak çaste nga zbavitjet e zakonshme dhe duke i çuar në një aventurë klasike përplot frymëzim.
Zërat e pastër të korit dhe pasioni i dukshëm i orkestrës dhanë dëshmi të fuqishme se muzika është gjuhë universale që bashkon, edukon dhe formëson brezat e ardhshëm. Ky aktivitet, që tashmë po shndërrohet në traditë, përforcon misionin e festivalit për të ndërtuar një publik të ardhshëm të ndjeshëm ndaj artit dhe kulturës.
Organizatorët shprehën mirënjohje të veçantë për prindërit që iu bashkuan nismës dhe për Hyperactive, që ofroi mbështetje dhe hapësirën për këtë ngjarje të veçantë.
“Le të vazhdojmë të kultivojmë artin me dashuri dhe përkushtim, që nga hapat e parë,” ishte mesazhi përmbyllës i festivalit, duke theksuar rëndësinë e edukimit artistik që në fëmijëri./Katror.info