Qeveria e Kosovës respektivisht Ministria e Financave, Punëve dhe Transferëve ka ndarë rreth 1.2 milionë euro për 19 organizata humanitare që ndajnë shujta falas për fëmijët në nevojë.
“Ky aktivitet realizohet në kuadër të masës 3.4 të Pakos së Ringjalljes Ekonomike dhe parasheh mbështetjen e 19 organizatave humanitare me 1.2 milionë euro, të cilat do të ofrojnë shujta falas për familjet më në nevojë”, thuhet në njoftimin e Qeverisë së Kosovës.
Sipas njoftimit të Qeverisë, kryeministri Albin Kurti ka thënë se kuzhinat popullore janë simbol i humanizmit të përbashkët.
“Gjatë ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjeve, kryeministri Kurti tha se “kuzhinat popullore, përveç se ofrojnë shujta për ata më në nevojë, janë gjithashtu simbol i humanizmit tonë të përbashkët dhe dëshmi e fuqisë së komunitetit për të ndikuar pozitivisht në jetën e atyre, të cilët kanë më së shumti nevojë”.
Organizatat që kanë përfituar deri më tani nga ky projekt, kanë ofruar mbi 300 mijë shujta ushqimore.
“Deri më tani, organizatat përfituese nga ky lloj i mbështetjes kanë ofruar mbi 300 mijë shujta ushqimore, ndërkaq në pranverë të vitit të kaluar, në kuadër të po të njëjtës masë, Ministria e Financave, përmes 39 organizatave joqeveritare partnere, financoi blerjen e afro 35 mijë pakove ushqimore, të cilat, organizatat i shpërndanë te familjet më në nevojë në të gjitha komunat e vendit tonë”.
Tutje, thuhet se Qeveria e Kosovës mbetet e përkushtuar në ndërmarrjen e politikave që kanë për synim mbështetjen e familjes, ngritjen e mirëqenies dhe qasjen më të lehtë në shërbime sociale për të gjithë qytetarët./Katror.info