iPhone është pajisja elektronike më e njohur në botë, kështu që mund ta blini pothuajse në të gjitha vendet e botës. Megjithatë, çmimi i iPhone nuk është i njëjtë kudo dhe Turqia është bërë tashmë vendi ku ia vlen më pak të blesh një smartphone të Apple.
Turqia është në një krizë ekonomike që ka shkaktuar një rënie të menjëhershme të vlerës së monedhës vendase – lirës turke. Kjo, së bashku me normat më të larta të taksave dhe kursin e këmbimit të dollarit, çoi në rritjen e çmimeve të produkteve të importuara, shkruan Katror.info.
Kështu, në një muaj Apple iu desh të rregullonte çmimet e produkteve të saj për tregun turk deri në tre herë. Si rezultat, iPhone 14 Pro Max me 1 TB hapësirë ruajtëse i shitur në Turqi është në fakt iPhone më i shtrenjtë i tillë në botë.
iPhone 14 Pro Max me 1 TB hapësirë ruajtëse kushton 1,599 dollarë në Shtetet e Bashkuara. Në Turqi çmimi është mbi dy herë më i lartë dhe arrin në 3273 dollarë. Nga kjo shifër, vetëm 1636 dollarë shkojnë për Apple, ndërsa pjesa tjetër e parave shkon për qeverinë turke si taksa.
Sa i përket iPhone 14 të rregullt, ai kushton 1,818 dollarë në Turqi, që është shumë më i shtrenjtë se iPhone 14 Pro Max 1 TB i shitur në SHBA, dhe ka mjaft dallime midis këtyre telefonave. /Katror.info