Muzikanti Markelian Kapidani ka zbuluar për herë të parë arsyen pse u kthye nga Zvicra, vend të cilin jetoi prej disa vitesh. I ftuar në emisionin “Pas Mesnate” në ABC News, ai ka treguar se shkak u bë Shkodra, pasi është qyteti ku lindi dhe mori hapat e parë në muzikë.
Kapidani theksoi se vendosi t’i shtojë Shkodrës kontributin që ka marrë në Evropë.
“Zvicrën e lashë për Shkodrën. Përveç kësaj, se Shkodra për mua është e parritshme, është vendi ku unë kam lindur, ku kam hedhur hapat e parë, kam marrë erën e liqenit, të gjitha ato kujtime që janë të pashlyeshme. Shkodra ka vlera. Është vendlindja e Martin Gjokës, kompozitorit dhe themeluesit të muzikës së kultivuar dhe më vonë Çesk Zadeja dhe me radhë.”
Ai thotë se Çesku ka qene profesori i tij dhe Shpëtimit, edhe i shumë pedagogëve sot që kontribuojnë në të gjithë Shqipërinë.
“Në një farë mënyre është vendi i Marubit, është vendi i Koli Gromenos, është vendi i operas së parë dhe i baletit të parë ‘Rozafa’. Janë shumë gjëra që nuk mund të mohohen në Shkodër. Edhe unë vendosa t’i rikthej Shkodrës atë që më ka dhënë dhe gjithashtu t’i shtoj kontrubutin që kam marrë në Itali, Zvicër dhe Evropë”, tha artisti.
Markeliani zbuloi se babai i tij, artisti i njohur, Gjon Kapidani, kishte disa partitura të përkthyera në polonisht që ia kishin dhënë dhe ato ishin gjithçka çfarë ai kërkonte, ndryshe nga kompozitorët klasikë që studionte në shkollë.
“Më kujtohet në moshën 13-14-vjeçare kisha filluar të luaja një muzikë pak të evoluar në atë kohë nga kompozitorë impresionistë. Kisha një gjuhë harmonike dhe ritmike ndryshe nga kompozitorët klasikë që ne i studionim në shkollë si Moxarti apo Bethoven. Një ditë duke rrëmuar nëpër libra të vjetra të tim ati, gjeta një grumbull partiturash të shkruara ‘Jazz’ sipër dhe me një firmë Lek Dizdari, një shok i babës, i cili ia kishte dhuruar këto revista të përkthyera në polonisht dhe në fund të çdo reviste ishin disa pjesë pentagrami, edhe disa sigla të muzikës jazz, të cilat në atë moshë unë nuk i dija. Shkova te baba dhe i thash: ‘Ca janë këto?’. ‘Shshsh’, më tha, janë muzikë e ndaluar, hajde t’i kallxojë. Aty zbulova këtë lloj muzike, që unë e kërkoja, por nuk e dija se çfarë ishte. E doja përveç atyre që mësoja në shkollë”, u shpreh Kapidani.
Muzikanti i mirënjohur, Gjon Kapidani do të mbahet mend gjithmonësi simfoniku i fundit shkodran. Ai ishte vazhdues i veprës së Jakovës, Harapit dhe Zadejës.
“Kujtimi i parë është i instrumentit, i dyti është i studimit të jazzit, kujtimi i tretë është kur kam marrë diplomën për piano dhe isha në periudhën e përgatitjes për kompozicion në Akademi. Prej gëzimit më pati dhuruar një orë elektronike, si kanë qene ato orët e dikurshme. Edhe që në atë moment, ai filloi të më trajtonte si shok, nuk isha më i biri i tij, por në një farë mënyre isha shoku i tij.”
Në bisedat tona mbizotëronte muzika, po jo si muzikë, por si fenomen social, si fenomen edukues. Në atë kohë unë isha nën influencat e Niçes dhe fillova të lexoj si të thuash filozofë gjermanë. Më vonë rash në kontakt me idetë Frojdiane, me psikoanalizën dhe isha në një farë mënyre i drejtuar drejt këtyre qasjeve filozofike dhe shihja muzikën gjithmonë”, u shpreh ai./Katror.info