Ekipet e agjencisë së lajmeve The Associated Press të udhëhequra nga gazetari shqiptar nga Kosova, Nebi Qena, i cili është menaxher i AP-së në Uashington, kanë fituar dy çmime Pulitzer (çmimi më i rëndësishëm në gazetari) në ceremoninë e së hënës.
Çmimi i parë ishte për mbulimin e luftës në Ukrainë, ku u shpërblye fotografia e parë e publikuar nga ekipet e AP-së për fillimin e invazionit rus. Ndërsa çmimi i dytë ishte në një nga kategoritë më prestigjioze siç është ajo për “shërbimin publik” për mbulimin ekskluziv nga qyteti i rrethuar i Mariupol-it, ku u zhvillua një ndër betejat më të ashpra prejse ka filluar lufta.
Për këto dy çmime të fituara ka reaguar edhe Qena në rrjetin e tij social në Twitter, i cili është shprehur krenar dhe i lumtur me arritjen e gazetarëve të agjencisë prestigjiozes amerikane.
So proud of this lot! And happy to have witnessed their outstanding work during those tough days in Ukraine! https://t.co/G9vbSN6dqn
— Nebi Qena (@nebiqena) May 8, 2023
“Jam i lumtur që kam parë punën e tyre të jashtëzakonshme gjatë atyre ditëve të vështira në Ukrainë”, ka shkruar shkurtimisht Qena në Twitter.
Gazetarët e AP-së ishin gjithashtu finalistë në dy kategori Pulitzer , për fotografimin e lajmeve të fundit të krizës politike të Sri Lankës dhe për fotografimin artistik të ndikimit të luftës në Ukrainë tek të moshuarit.
Për çmimin e shërbimit publik, komisionerët e Pulitzer shpërblyen AP’në – e cila kishte të vetmit gazetarë ndërkombëtarë në Mariupol për gati tre javë – për kapjen e imazheve të dukshme të një gruaje të plagosur, shtatzënë që u dërgua me urgjencë në ndihmë mjekësore ndërsa Rusia që qëllonte mbi objektivat civilë.
Ekipi i AP-së në Mariupol përbëhej nga video-gazetari Mstyslav Chernov, fotografi Evgeniy Maloletka dhe producentja e videos Vasilisa Stepanenko dhe reporterja Lori Hinnant në Paris.
Karrierën si gazetar, Nebi Qena e ka filluar në gazetën Koha Ditore në vitin 1997.
Ai gjithashtu ishte drejtor i lajmeve dhe çështjeve aktuale në Transmetuesin Publik të Kosovës, RTK.
U bashkua me Associated Press si korrespondent shumëdiciplinor më 2007 fillimisht në Kosovë dhe më pas ka qenë producent senior për Izraelin, Bregun Perëndimor dhe Gazën që nga viti 2015 dhe ka drejtuar dhe koordinuar mbulimin të një sërë historish të mëdha duke përfshirë pushtimin rus të Ukrainës vitin e kaluar.
Ai ka mbuluar edhe luftën në Siri dhe Kosovë po ashtu./Katror.info
Marrë nga Albanian Post.