Presidenca e Kosovës njoftoi sot se presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani dhe USAID do të nënshkruajnë marrëveshjen e grantit në vlerë prej 34 milionë e 727 mijë dollarë. Ceremonia u mbajt në orën 11:00, në Kabinetin e Presidentes, përcjell albinfo.ch.
“Amendamenti nr.05 i marrëveshjes së grantit për objektivat zhvillimore do të nënshkruhet nga Presidentja Osmani në emër të Republikës së Kosovës dhe nga U.D. drejtoresha e USAID, Kerry Monaghan Hogler, në emër të USAID-it”, thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit, mediat do të marrin pamje në fillim të takimit, ndërkaq pas tij Presidentja Osmani dhe ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey M.Hovenier, do të deklarohen për media.
Ambasadori amerikan në konferencën për media me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani tha sot u nënshkrua marrëveshja prej më shumë se 34 milionë dollarësh për të mbështetur aktivitetet e shumta të USAID-it në Kosovë.
Ai tha se me këtë konfirmohet partneriteti afatgjatë dhe i qëndrueshëm i SHBA-së me popullin e Kosovës, raporton Telegrafi.
“Ky fond do të mbështesë qëllimet strategjike të SHBA-së për Kosovën përfshirë përpjekjet për avancimin e integrimit të Kosovës në institucionet evropiane dhe euroatlantike, përpjekjet për promovimin e rritjes dhe përparimit ekonomikë si dhe përpjekjet për forcimin e qeverisjes së mirë dhe zhvillimit të institucioneve demokratike”, tha ambasadori.
Sipas tij, të gjitha programet e USAID-it në Kosovë kanë për qëllim të sigurojnë se të gjithë kosovarët kanë qasje efektive dhe të prekshme në shërbimet që ofrojnë institucionet e tyre.
“Gjithashtu mendojë se është e dobishme të thuhet se nga vitit 1999 ShBA ka investuar më shumë se dy miliardë dollarë për të çuar përpara qëllimet tona të përbashkëta.
Ky është manifestim i përkushtimit tonë ndaj popullit të Kosovës”, tha Hovenier.
Ndërkaq, presidentja e vendit, Vjosa Osmani para mediave ka falënderuar SHBA-në për përkrahjen e vazhdueshme ndaj Kosovës, transmeton Telegrafi.
“Po ju drejtohem pas nënshkrimit të marrëveshjes e cila do të ndikojë drejtpërsëdrejti në plotësimin e objektivave zhvillimore të vendit tonë. Sot së bashku me SHBA-në nënshkruam marrëveshjen për grantin për zhvillim. Si rezultat i saj do të kemi në dispozicion 35 milionë dollar, për projekte të cilat kontribuojnë në përmirësimin e jetës për gjithë qytetarëve”, është shprehur ajo.Katror.info