Në një ceremoni të mërkurën është nënshkruar marrëveshja e grantit për objektivat zhvillimore ndërmjet Kosovës dhe Agjencisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID).
Amendamenti numër 6 i marrëveshjes së grantit për objektivat zhvillimore është nënshkruar nga presidentja Vjosa Osmani, në emër të Republikës së Kosovës dhe nga Mary Elieen Devitt, në emër të USAID. Vlera e këtij granti arrin në 34.5 milionë dollarë, shkruan Koha.
Në konferencën për media pas ceremonisë, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se “secila nismë dhe sukses që në qendër ka përmirësimin e jetës së qytetarëve të Kosovës dhe përmirësimin e institucioneve tona demokratike e llogaridhënëse ka po ashtu gjurmët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.
Ajo ka thënë se totali i marrëveshjeve me USAID në këtë grant arrin në vlerë prej 142.5 milionë dollarësh.
“SHBA-ja kanë qenë dhe mbeten partner i përkushtuar dhe i palëkundur i popullit të Kosovës në këtë drejtim. Krahas përkrahjes financiare populli amerikan ndër vite ka treguar partneritet të vazhdueshëm të ndërtuar mbi vlera, por mbi të gjitha partneritet i ndërtuar në besim të ndërsjellë, besim në një Kosovë që në qendër të vëmendjes ka popullin e saj”, ka thënë ajo. “Këto nisma të përbashkëta janë deklarimi i fuqisë së bashkëpunimit tonë dhe një garanci për një të ardhme të ndritur për vendin tonë. Sa herë punojmë bashkë me SHBA-në, qytetarët tanë dhe shteti ynë përfiton”.
Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë përsëri se për shkak të “sfidave” lidhur me disa vendime të Qeverisë Kurti, “kanë ndikuar në kualitetin e marrëdhënieve Kosovë – SHBA”.
“Shumë prej jush keni parë raportin në media për dallimet e ShBA-së dhe anëtarëve të tjerë të bashkësisë ndërkombëtare me Qeverinë e Kosovës për disa veprime që janë ndërmarrë nga qeveria aktuale e kryeministrit Kurti. Po përballemi me disa sfida me qeverinë e tanishme të Kosovës të cilat kanë ndikuar në cilësinë e partneritetit tonë. Ashtu siç zëdhënësi i Departamentit të Shtetit më herët, Qeveria amerikane shpreson se Qeveria e Kosovës do t’i kthehet angazhimit të ngushtë dhe konstruktiv me SHBA-në, BE-në, NATO-n dhe partnerët tjerë ndërkombëtarë të Kosovës”, ka thënë Hovenier./Katror.info