Të mërkurën, 24 janar, në të gjitha shkollat e Kosovës fillon gjysmëvjetori i dytë i vitit shkollor 2023/24.
Nënkryetarja e Sindikatës së Arsimit, Vjollca Shala, i tha RTK-së së sipas informatave që kanë marrë nga përfaqësuesit e sindikatave nëpër komuna, mësimi do të fillojë në të gjitha shkollat, përfshirë edhe ato në viset rurale edhe përkundër rënies së borës dhe temperaturave të ulëta.
“Sipas informacioneve që i kemi nga kryetarët e sindikatave të niveleve komunale, përgatitjet janë bërë tashmë dhe gjysmëvjetori i dytë do të fillojë më datë 24 janar sipas kalendarit. Nuk kemi ndonjë informatë që edhe në viset rurale për shkak të borës që është në sasi me të larta nuk do të fillojë mësimi. Kështu që ne i kemi informacionet që janë bërë përgatitjet për fillimin e gjysmëvjetorit të dytë”, ka thënë Shala.
Referuar kalendarit shkollor të publikuar nga Ministria e Arsimit, pushimi pranveror për nxënësit do të jetë nga data 08.04.2024 deri më 12.04.2024 (mësimi rinis më 15 prill).
Ndërsa, më 16 maj do të përfundojë mësimi për klasën e 12-të-maturantët, e më 6 qershor do të përfundojë mësimi për klasën 9, 10 dhe 11.
E për parafillorët nga klasa e parë deri në të tetën përfundimi i vitit mësimor do të jetë më 24 qershor 2024. Ndërkaq, në kalendar janë të parapara edhe festat zyrtare./Katror.info